Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad deklaroi se Afganistani dhe talebanët duhet të përshpejtojnë procesin e negociatave.
Khalilzad përmes mediave sociale njoftoi se ai u takua me zyrtarë të qeverisë afgane, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe politikanë gjatë vizitës së tij 3-ditore në kryeqytetin Kabul.
Khalilzad tha se në takime kanë diskutuar çështjen e mbështetjes më të gjerë ndërkombëtare për të ndihmuar afganët të bëjnë përparim më të shpejtë në procesin e paqes.
Ai tha se qeveria afgane dhe talebanët duhet të gjejnë një mënyrë për zgjidhje politike, armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës. Khalilzad thekson se diskutuan për mundësi dhe alternativa të ndryshme në negociata për të përshpejtuar dhe avancuar procesin e paqes.
“Pala afgane dhe talebane duhet të përshpejtojnë procesin e negociatave”, tha Khalilzad ku nënvizoi se ka mbështetje nga të gjitha palët për të përshpejtuar procesin në mënyrë që populli i Afganistanit të arrijë paqen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që duan.
Më 29 shkurt u nënshkrua një marrëveshje paqeje
Bisedimet që rifilluan midis SHBA-së dhe talebanëve në dhjetor 2019, rezultuan në një vendim të armëpushimit “de facto” të quajtur “zvogëlimi i dhunës”.
Faza e dytë e negociatave midis afganëve dhe talebanëve filloi më 6 janar në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të ndalur dhunën në Afganistan. Bisedimet u pezulluan pasi delegacioni i talebanëve më 26 janar filloi vizitat rajonale. Faza e dytë e negociatave filloi përsëri më 22 shkurt.//AA
