TIRANË

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka qenë sot në Durrës në një takim me kandidatet për deputete të PD ku ka prezantuar dhe programin për barazinë gjinore. Basha tha se kemi vendosur në programin tonë piketa të forta që do ia pamundësojnë diskriminim çdo vajze shqiptare.

“Kam një brengë sepse jeni një pjesë e ekipit dhe një pjesë jeni në ekrane. Ju jeni përfaqësuese të dhjetëra kandidateve të tjera të PD, shkencëtare, artiste, mësuese, mjeke, sipërmarrëse. Ekip i jashtëzakonshëm, skuadra më e mirë e cila nuk është përzgjedhur si fasadë sepse unë dhe PD nuk kemi asgjë për të fshehur. Më 25 prill nisim rrugën e pandalshme të barazisë që ju meritoni.
Vlera europiane pa barazi mes burrit dhe gruas nuk mund të kemi, që nga dhoma e burrit, tek e ndenjes, madje që nga kuzhina, tek timoni por në veçanti tek ato parametra që tregojnë barazi të vërtetë, shanset për arsimim. Kemi vendosur në programin tonë piketa të forta që do ia pamundësojnë diskriminim çdo vajze shqiptare.
Shanse për punësim, ku pa diskutim, problemi kryesor qëndron tek paragjykimi, diskriminimi, seksizmi dhe intimidimi i grave shqiptare në sektorin publik që fillon nga koka”, tha Basha.

Ai i cilësoi legjendare poshtërimet e grave dhe të administratës socialiste në korridoret e pushtetit. “25 prilli do jetë ditë çlirimi dhe për to. Më prekin dhe emocionojnë vuajtjet, përpjekjet, sfidat dhe përpjekjet në sektorin privat.

Punësimi është një tjetër shtyllë. E treta ka të bëjë me vendimmarrjen, këto zonja, nuk janë këtu për të bërë makijazhin, nuk janë këtu për të bërë fasadën por janë individualitete të spikatura. Nesër janë garancia për zërin tuaj, për pritshmëritë tuaja dhe për kërkesat tuaja legjitime që të bëhen realitet. Nuk janë aty për të ngritur dorën por për të ushtruar presion pozitiv dhe për të garantuar që ligjet e reja do jenë vendime që do ndihmojnë gratë shqiptare. Jam krenar dhe shumë entuziast që kemi ekipin më të mirë dhe që pjesa më e mirë e ekipit më të mirë janë gratë dhe vajzat. Shqipëria ka nevojë për ndryshim. 8 vite të vjedhura dhe të harxhuara me Shqipërinë në vend numëro. Do marrin fund më 25 prill. Ju ftoj të bëheni pjesë masive e votimit të 25 prillit, të dilni masivisht për të votuar. E para që do të fitojë do jetë gruaja dhe vajza shqiptare”, deklaroi kreu i PD.

Basha tha më tej se sot ka një mundësi dhe një zgjedhje reale. “E ndiej kudo që shkoj, në dorështrëngimin e burrave por edhe tek gratë që duan ndryshimin. Le t’i japim zë këtij ndryshimi me votën e grave dhe nënave kudo që janë. Zotohem para jush që këtë kurajë dhe karakter të fortë që përfaqësojnë këto zonja do ta vënë në dispozicion të angazhimit tim për ndryshimin e jetëve tua. Jo thjesht si një kryeministër normal, por që ka vetëdijen që pritshmëritë tuaja duhet të realizohen që Shqipëria do të shkojë përpara. Ju falënderoj nga zemra për shpresën që po më jepni për të larguar të keqen që nuk durohet më. Shpresa juaj, bashkë me atë të rinisë shqiptare është e ardhmja e Shqipërisë”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb