NGA MENTOR KIKIA*
Unë nuk besoj se “Viti i Ri” është një shenjë fatndjellëse apo instrument qiellor që ndryshon fatet e jetëve tonë. Nuk besoj që ai, vetvetiu, do të sjellë ndonjë ndryshim pozitiv, sikundër nuk besoj që ky vit që iku është përgjegjës për punët që nuk na ecën mbarë, për të këqijat që në kanë bërë të tjerët, apo i kemi bërë ne vetes. Ndaj urimet e tipit “Besoj e shpresoj që ky vit t’ju sjellë suksese, paqe, lumturi, begati, shëndet dhe dashuri”- me duken pa vend. Po ashtu më duken fare pa vend edhe urimet e zyrtarëve; “qoftë ky viti i projekteve të mëdha, i ndryshimeve të mëdha, rritjes së mirëqënies dhe begatisë së popullit tonë…”.
Kjo për faktin se koha është një vazhdimësi dhe vitet janë thjeshtë njësi matëse, të cilat njerëzimi i shpiku apo i vendosi për të menaxhuar kohën dhe aktivtetin e tij. Më vonë, kur njerëzimi u zhvillua, shpiku televizionin dhe marketingun si instrument të tregut, “Viti i Ri” u bë biznes.
Gjithashtu unë nuk besoj tek astrologjia, e cila përcakton se cili vit është më i mbarë e cili më i prapë, pasi jam tërësisht i bindur se nuk e vendos pozicioni i Saturnit, që ndodhet nja 1.4 milirad kilometra larg, nëse do të kem rritje rroge këtë vit apo ajo. Apo dikush tjetër që prêt që “Viti i Ri” ti sjellë mbarësi me dyqanin e vogël të ushqimores. Nese një vit është më i mbarë apo më i prapë, vec ndonjë fatkeqësie natyrore, që nuk mund të parashikohet as nga shkenca e as nga astrologjia, të tjerat i vendomim ne vete. Si gjërat tona personale, ashtu dhe ato kolektive, apo kombëtare, le të themi.
Ndaj dhe për të gjithë miqtë e mi, të njohur e të panjour personalisht, të gjithë ata me të cilët kam komunikuar, kam shkëmbyer mendime e ide, që kemi qenë e nuk kemi qenë dakord me njëri-tjetrin, unë kam vetëm nje urim. Kalofshi një mbrëmje të bukur sonte. Nuk ka rëndësi salltaneti, nëse jeni para një tryeze që kushton 1000 Euro për person, apo 100 Euro për 10 persona. Rëndësi ka të qeshni rreth asaj tryeze.
Nesër do të jetë sërish sot. Nesë ajo do të jetë më e mirë apo më e keqe, atë e vendosim ne, në të gjitha drejtimet.
(d.b/BalkanWeb)
