Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka komentuar dhe numrin 6 të kësaj force në fletën e votimit, pas shortit të hedhur nga KQZ. Kryemadhi e lidhi me krijimin e botës dhe tha se edhe Zotit 6 ditë iu deshën për të krijuar njerëzimin.

“Kur po diskutonim me miqtë ra muhabeti që ishte numri 6 i LSI-së. I thashë që edhe Zotit 6 ditë iu deshën për të krijuar njerëzimin, se ditën e 7 e bëri pushim. Kështu që, edhe ne 6 ditët jemi punë pa fund dhe këto 36 ditë që na kanë ngelur, për të çuar më 25 prill votën për LSI-në”, tha Kryemadhi në Fier.

Ajo deklaroi më tej se ndryshe nga Rilindja LSI ka një fokus tjetër. “Ne kemi një përfshirje të të gjithë kandidatëve, të cilët nuk kanë qëllimin për të qenë deputetë në Parlament, por kanë qëllimin për të përmbysur këtë sistem, sepse nuk e ndryshon sistemin apo varfërinë deputeti që shkon, e ndryshon sistemi. Dhe ne duam të ndryshojmë sistemin. Ne nuk kemi hall për të bërë deputetë që vënë 2-3 drejtorë dhe mbushin xhepat e tyre, ne kemi hall të ndryshojmë këtë sistem, që të jenë të gjithë shqiptarët të pasur, të kemi një turizëm të zhvilluar, të kemi një industri nafte e cila buron financa dhe para për familjet e naftëtarëve, sepse të mendosh që edhe sot e kësaj dite Statusi i Naftëtarit është i parealizuar dhe i paprekshëm për naftëtarët. Të mendosh që edhe sot e kësaj dite njerëzit punojnë nëpër rafineritë e naftës dhe mund të rrinë me muaj të tërë pa paguar, edhe pse kur vjen që nëse nuk paguajnë dot dritat dhe ujin, atë ua ndërpresin që ditën e parë.
Pra ka ardhur koha për të ndryshuar këtë sistem. Ky është sistemi i tranzicionit dhe le ta mbyllim këtë sistem bashkë me Edi Ramën dhe sektin e tij dhe le të hapim sistemin e ri, sistemin e zhvillimit, të emancipimit, të edukimit, për të rinjtë dhe të rejat tanë, që të gjithë të kthehen në Shqipëri dhe të jetojnë në kushtet që i takojnë për të jetuar një evropiani në një vend evropian”.

“Unë besoj tek forca juaj, besoj tek angazhimi juaj. Një nga angazhimet tona kryesore është sensibilizimi i të gjithë qytetarëve të Fierit për të shkuar dhe për të votuar më 25 prill.
Kemi dëgjuar të flitet për një shëndetësi falas. Ju besoj se e dini mjaft mirë që shëndetësia vetëm falas nuk ka qenë, por ka qenë shëndetësia më e shtrenjtë. Këtë e tregoi edhe pandemia, ku shqiptarët paguanin nga 3500 deri në 4 mijë euro. Të mos flasim më për familjet e varfra.
Flasim për ulje taksash, por sot dihet që shqiptarët paguajnë 5-6 herë më shtrenjtë taksat se ç’i paguanin katër vjet më parë.
Flasim sot për investime. E dimë shumë mirë që vetëm investime nuk ka. Kur po vija tani tek rreth rrotullimi i Kolonjës, po bëjnë sikur po shtrojnë rrugën vetëm e vetëm për të treguar se po bëjnë infrastrukturën.
Të mendosh u rrit çmimi ujit me 10-fish dhe sot shqiptarët nuk kanë ujë, edhe pse është një nga vendet që ka burime nënujore më shumë se çdo vend tjetër.
Pra ka kaq shumë probleme që i kanë lodhur shqiptarët dhe i bëjnë indiferentë ndaj politikës. Por kemi vetëm një mënyrë që secili nga ju jo vetëm të zgjodhët dhe të angazhojë të rinjtë dhe të rejat, por edhe familjarët, gjyshërit, gjyshet, hallat, xhaxhallarët, dajat, të gjithë rrethin shoqëror, komshinjtë, që të shkojnë dhe të votojnë më 25 prill”, tha Kryemadhi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb