BURREL
Gazetari Enver Doçi sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje nga banesa e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Alfred Karaj, që u vu tritol, gjatë natës së kaluar.
Siç shihet nga pamjet, banesa e punonjësit të SHISH është rrethuar nga policia, e cila vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit.
Ndërkohë, “BalkanWeb” sjell dhe foton e punonjësit të SHISH, që i shpërthyen banesën me tritol. Siç raporton gazetari Doçi, në momentin e shpërthimit punonjësi i SHISH dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë, ndaj dhe fatmirësisht nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.
Shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka krijuar panik te banorët e një pallati në bllokun e banimit të quajtur “Katrori”, ku janë thyer edhe xhamat e disa banesave të pallatit.
Vetë punonjësi i SHISH, Alfred Karaj, e lidh ngjarjen me detyrën, pasi shprehet se nuk ka pasur konflikte të tjera. Së bashku me policinë, në vendngjarje ka shkuar edhe prokurori i Matit, Abaz Muça, për të ndjekur nga afër hetimet.
Gjithashtu, nga Tirana kanë mbërritur edhe forcat anti-eksploziv për të asistuar në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e lëndës plasëse apo sasinë që ishte vendosur.
(BalkanWeb)