TIRANE – Nesër pritet të ketë përmbytje në kryeqytet. Një fakt i tillë u deklarua nga kryebashkiaku, Erion Velija. Teksa ishte i pranishëm së bashku me ministrin e Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinastos në inspektimin e punimeve për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë, Veliaj pohoi se qytetarët duhet të shmangin nesër lëvizjet nga ora 14:00-19:00.
“Abuzimet me ndërtimet do sjellin në vëmendje këtë zonë për përmbytjet. Nesër parashikoj se do të ketë përmbytje në Tiranë, ndaj i kërkoj qytetarëve që të evitojnë udhëtimi nga ora 14:00-19;00, pasi rreth 400 njerëz tanët do jenë në terren për të punuar. Ju bëjë thirrje të gjithëve të kenë kujdes. Edhe në Angli ka pasur sot përmbytje. Kemi situata të ngjashme të lëna nga administrata e kaluar. Tani jemi në situatën që me paratë e të ndershme po mbushen gropat”, tha Veliaj.
Teksa u ndal tek projekti i Unazës së Madhe, kryetari i Bashkisë së Tiranës pohoi se nga ky projekt do të jepen të gjitha shpronësimet. Nga ana tjetër Veliaj theksoi se këto shpronësime do të bëhen ndonëse disa kanë marrë leje në mënyrë të paligjshme.
“Shqiptarët që paguajnë taksa, duhet të paguajnë për shpronësime, që janë legalizuar dhe hipotekuar mbi kolektorë, dhe kabllo elektrikë dhe duhet të bëjmë akrobacira të tilla që janë kryer në mënyrë të paligjshme. Dhe në rastin përmbytjeve, duhet të shpronësojmë njerëz qe të kalojë kolektori dhe investimi mos të shkoj dëm. I jemi rikthyer pas 2 vitesh bashkëpunimit me ministrinë. Tirana meriton të ketë një paragjykim pozitiv, ndaj duhet të ketë prioritet dhe të ketë financime ekstra, dhe lotët e tjera edhe mund të presin. Parashikimi është se këtë vepër do e kemi të përfunduar në fund të vitit, ose dhe 3 muaj para afatit. Kjo është një përpjeke për të mos kaluar afatin. Projekti i Unazës së Madhe kërkon miliona dollarë. Ne kemi përcaktuar fondin e shpronësimeve mbi kolektor dhe që kanë marrë statusin për shpronësim. Edhe bashkia dhe ministria kanë buxhetuar dhe do bëhen shpronësimet.”, deklaroi Veliaj.
Ai ndër të tjera nuk kursehu as ironinë, ndërsa tha se edhe tre pllaka të shtrosh në Shqipëri, duhet tu rrish tek koka, jo më të bësh një projekt me kaq rëndësi. “Ndaj po i rrimë tek koka bashkë me ministrin.”, tha ai.
Sakaq, kreu i Transporteve theksoi se institucioni që ai drejton ka vëmendje maksimale për përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm, që do të lehtësojë trafikun në kryeqytet. Ministri Haxhinasto pranoi se ka ende disa probleme të pazgjidhura, siç janë shpronësimet, por ai u shpreh optimist se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje.
“Eshtë loti i parë i Unazës së Re të Tiranës. Punimet janë duke ecur, do të dëshironim të ecnin edhe më shpejt, por ka disa vështirësi me të cilat duhet të përballemi. Çështja e shpronësimeve mbetet një problem. Për shumë projekte të tjera ka probleme, vështirësi ligjore që janë të trashëguara. Besoj se do ti zgjidhim së shpejti. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti, vëmendja jonë është maksimale, angazhimi i kontraktonit është maksimal dhe besoj do të kemi ritme më të shpejta për përfundimin e këtij projekti”- deklaroi Haxhinasto.
Teksa u ndal tek situata e rrugëve sa i takon dhe vështirësimit të motit për shkak të reshjeve të borës dhe shiut, Haxhinasto pohoi se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e situatës.
“Janë marrë masa serioze. Autoritet rrugor Shqiptar po monitoron këto kompani private që monitorojnë rrugët. Kam parë që kompanitë janë të angazhuara, duke përdorur teknologjinë për shkrirjen e akujve. Siç tha dhe kryetari, pritet që situata të përkeqësohet, me reshje shiu dhe bore. Jemi duke përgatitur një reformë të plotë për mënyrën se si mbahen rrugët tona. Gjë që do sjellë standarde të tjera, me qëllim që shërbimi të jetë i barabartë me atë që ata marrin”, tha ministri.
Ndër të tjera ai u pyet dhe për projektin për Rrugën e Arbrit, ndërsa ai deklaroi se kompania kineze që e ka marrë përsipër po e rishqyrton dhe njëherë. “Jemi në procesin e vlerësimit. Është një proces kompleks, pasi kompania kineze ka sjellë ndryshime në projekt që reflektohen në vlera të ndryshme nga parashikimet e Autoritetet rrugor shqiptar. Ndaj duhet të konfirmohen nga ARSH-ja dhe konsulencat përkatëse. Ndaj do shikojmë projektin dhe mos të hapin një gropë të madhe siç është bërë gjithmonë. Jemi ende në kohë.”, tha Haxhinasto. Ai u ndal dhe tek Rruga Tiranë-Elbasan. “Është një projekt tjetër i rëndësishëm që është trashëguar në mënyrë problematike. Projekti është duke ecur sipas kërkesave ligjore. Jemi në momentin që kontraktori të angazhohet.”, tha ai.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)
