Zëdhënësi i Kremlinit Dmitriy Peskov deklaroi se kanë mësuar me keqardhje për sanksionet e Ukrainës ndaj Rusisë.

Peskov, në kryeqytetin Moskë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth rendit të ditës.

Duke vlerësuar vendimin e Ukrainës për të vendosur sanksione ndaj disa kompanive ruse dhe Agjencisë Federale për Bashkëpunim Ndërkombëtar Humanitar, Peskov shprehu keqardhje për këtë vendim.

I pyetur nëse duhet të ndërmerren veprime kundër kësaj, Peskov tha: “Unë mendoj se së shpejti do të arrijmë një nivel marrëdhënieje me Ukrainën ku nuk mund të përgjigjemi më. Ne do të ndërpresim gjithçka që mbetet. Kjo është shumë e keqe”.

Duke iu referuar aktivitetit ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës, Peskov argumentoi se Rusia nuk paraqet kërcënim për asnjë shtet, përfshirë edhe Ukrainën.

“Rusia gjithmonë i kushton vëmendje sigurisë së vet. Ushtria ruse lëviz nëpër territorin e Rusisë në mënyra dhe drejtime që i konsideron të nevojshme për të siguruar sigurinë e vendit. Kjo nuk duhet të shkaktojë shqetësim”, tha Peskov.

Duke theksuar se nuk janë zbatuar marrëveshjet e Minskut në lidhje me rajonin Donbas, Peskov deklaroi: “Për fat të keq, marrëveshjet nuk janë zbatuar. Detyrimet e ndërmarra nga pala ukrainase nuk janë përmbushur. Në fakt, fillojnë konflikte të pakontrolluara në një shkallë të vogël”, deklaroi ai.

Peskov deklaroi se kjo e tensionoi situatën në Donbas.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb