TIRANE- Avokati i Popullit të Shqipërisë është bërë Anëtar me të Drejta të plota në ENOC(European Network of Ombudspersons for Children-Rrjeti Evropian i Ombudsmanëve për Fëmijë). Kjo është bërë e mundur pas marrjes në konsideratë dhe vlerësimit për përmbushjen e kritereve të vendosura në Statutin e ENOC. Anëtarësimi i Avokatit të Popullit të Shqipërisë në këtë organizatë synon: Mbështetjen dhe nxitjen e zbatimit sa më të plotë të Konventës së OKB “Për të Drejtat e Fëmijës”; Mbështetjen e lobimit të përgjithshëm për të drejtat e fëmijëve; Shkëmbim informacionesh, qasjesh, strategjish, dhe promovimin e zhvillimit efektiv të institucioneve të pavarura për të drejtat e fëmijëve. Për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të fëmijëve, anëtarët e ENOC zgjedhin çdo vit një çështje specifike për të drejtat e fëmijëve, që kërkon vëmendje të veçantë dhe konsiderimin e veçantë nga Shtetet Anëtare, si dhe në rang evropian.

ENOC është organizmi që ka miratuar Standartet për Institucionet e Pavarura për të Drejtat e Fëmijëve. Institucionet e pavarura të fëmijëve kanë synime të përbashkëta lidhur me mbrojtjen e këtyre të drejtave, ndaj për të synuar bërjen e tyre sa më efektive, Kombet e Bashkuara në Udhëzuesin e Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut, kanë përcaktuar këta “faktorë të efektivitetit”: pavarësia, juridiksioni i përcaktuar, aksesueshmëria, bashkëpunimi, efektiviteti i veprimit, përgjegjshmëria.

“Parimet e Parisit përcaktojnë kuadrin bazë të ngritjes së institucioneve të pavarura për mbrojtjen e promovimin e të drejtave njerëzore të fëmijëve. Këto institucione duhet të kenë: Kompetencën e promovimit e të mbrojtjes të të drejtave të njeriut; mandat sa më të gjerë, të dhënë nga Kushtetuta apo ligji specifikisht për ngritjen dhe fushën e kompetencave të tij; Përgjegjësinë që të paraqesin në parlament, qeveri apo institucione të tjera opinione, rekomandime, propozime dhe raporte lidhur me të drejtat e njeriut; Të drejtën e publikimit të opinioneve dhe raporteve në mënyrë të pavarur, duke përshirë këtu situatën konkrete dhe zhvillimin efektivisht të të drejtave të njeriut; Të promovojë dhe garantojë harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me praktikën dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut tek të cilat shteti bën pjesë; si dhe zbatimin e tyre efektivisht. Të nxisë ratifikimin e këtyre instrumenteve; Të ndihmojë në raportet për të cilat shteti ka detyrimin e raportimit tek Komitetet e Kombeve të Bashkuara, etj, si dhe kur është e nevojshme të paraqesë opinionet mbi një çështje, gjithmonë në respekt të pavarësisë së tyre; Të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara dhe organizatat e institucionet e tjera rajonale e kombëtare të të drejtave të njeriut; Të ndihmojë në hartimin e programeve mësimore dhe kërkimeve për të drejtat e njeriut e të marrë pjesë në to dhe në veprimtaritë e shkollave, universiteteve, e të profesionistëve të arsimit; Të publikojë e të ndërgjegjësojë për të drejtat e njeriut; kryesisht nëpërmjet informimit, edukimit, si dhe mediave”, thuhet në njoftimin e AP.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb