Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Trevi, Sofia, Konti, Tigri, Xhejzo, Goldi. Këta janë disa nga emrat e qenve “agjentë”, të cilët në aksionet policore antidrogë, për eksplozivët apo për gjetjen e kufomave të zhdukura i shohim shpesh me agjentët e uniformave blu. Shumë pak persona e dinë se në Shqipëri ekziston një institut për trajnimin e qenve “agjentë”, të cilët më pas, sipas kërkesave, shpërndahen në të gjitha drejtoritë e policive në qarqe. Shkolla e qenve, e cila funksionon që prej vitit 1950, ndodhet në Tufinë, në periferi të kryeqytetit. Specialistët shprehen për “Gazeta Shqiptare” se në këtë shkollë përgatiten të gjithë qentë që kërkohen për nevojat e Policisë së Shtetit. Një risi e këtij instituti është edhe marrja nga Kosova e qenve që identifikojnë sasitë e eurove të futura në mënyrë kontrabandë në vendin tonë dhe po punohet nga ana e ekspertëve që të trajnohen sa më shumë qen në këtë lloj specialiteti. Në lidhje me përgatitjen e qenve, për shembull të atyre që merren me zbulimin e lëndëve narkotike apo lëndës plasëse, për çdo ditë një qeni të specializuar për këtë gjë, i vihet në dispozicion një sasi lënde e tillë, e cila fshihet. Pas kësaj, qeni fillon kërkimet dhe pasi nuhat erën e tij, qeni shkon e ulet te vendi derisa instruktori të shkojë afër tij. Specialistët e institutit thonë se e njëjta procedurë ndiqet edhe për specialitetet e tjera, edhe pse instituti ka disa probleme me përgatitjet e qenve për zbulimin e kufomave. Një problematikë që ngre instituti i trajnimit të qenve të policisë është edhe ai i nevojës që ka ky institut për freskimin e racës së qenve. Sipas specialistëve të këtij instituti, ekziston një frikë se shumë shpejt, nëse nuk merren masa të menjëhershme, qentë mund të lindin me probleme, për shkak se raca ka nevojë për rifreskim. “Në mënyrë që qentë të mos lindin me probleme, me të njëjtin gjak, duhet që në këtë institut të bëhet rifreskimi i racës së qenve. Kemi nevojë për raca të reja qensh”, pohojnë specialistët e këtij instituti.
Një ditë në shkollë
Vëzhgimin tonë e nisim nga materniteti, aty ku sapo kanë lindur këlyshët, ata që pas dy muajsh do të ndahen nga nënat e tyre dhe do të trajnohen që të bëhen “agjentë”. Specialisti që na shoqëron shpjegon se pasi shkëputen nga nënat e tyre, qentë trajnohen hap pas hapi, sipas specialiteteve të ndryshme, dhe vetëm pasi kalojnë fazën e testimit, ata përzgjidhen ose jo për t’u bërë qen shërbimi. Pas maternitetit, shkojmë në bazën ku mbahen qentë pak më të rritur, të cilët sapo janë kthyer nga stërvitja në natyrë dhe janë ushqyer nga specialistët e institutit. Qentë e vegjël akoma nuk janë shkëputur nga nënat e tyre, të cilat i mbrojnë të vegjlit e tyre dhe nuk të lejojnë që t’u afrohesh këlyshëve të vegjël. Afrohemi pranë nënës me emrin Sofia, e cila sapo ka lindur 6 këlyshë. Dëshira për t’u futur brenda kafazit të saj është shumë e madhe, por Sofia nuk na lë as të afrohemi, pasi sjelljet e saj agresive tregojnë se ajo me instiktin e saj si nënë po mbron të vegjlit që ka sjellë në jetë dhe që shumë shpejt do shkëputen prej saj. Vazhdojmë rrugën me përgatitësit e qenve, të cilët na shpjegojnë se në shtator ka nisur kursi për përgatitjen e qenve, të cilët bashkë me shoqëruesit e tyre po trajnohen hap pas hapi dhe pasi të përzgjidhen, ata do të shpërndahen sipas kërkesave që do kenë drejtoritë e policisë në të gjitha qarqet e vendit. Ndërkohë, na shpjegojnë se qentë që nuk e kalojnë testin quhen “skarco” dhe ata dalin në shitje.
Takimi me veterinerin
Vizita e fundit që bëjmë është ajo pranë veterinarisë, ku shikojmë të gjitha pajisjet e ndryshme që përdoren për kontrollin e qenve. Aty nuk mungon as tavolina e operacioneve, por as aparati i ekos apo edhe medikamente të ndryshme që përdoren nga veterineri i institutit, Lavdrim Balla, sa herë që aty paraqiten qen të sëmurë. Gjatë kohës që na tregon qendrën e veterinarisë, ku ai çdo ditë kryen vizitat e tij, Balla na rrëfen se në sallën e aparaturave ai ka kryer edhe operacione të “agjentëve” të policisë. “Është i bukur ky profesion. Ne i vizitojmë qentë, njësoj siç mjekët vizitojnë apo operojnë njerëzit”, – pohon Lavdrim Balla.
Çfarë race janë qentë në institut?
Në I.P.Q Policisë mbarështohen qen të racës Pastor Tedesko. Këlyshët që mbarështohen dhe trajnohen në Institut sigurohen nga baza e riprodhimit, që është pjesë e këtij instituti, duke eliminuar bashkëgjakësinë. Por është e domosdoshme që në këtë institut të futen edhe raca të tjera, si: Malinoes, Laborador, Rodwailer dhe qen kërkimi me trup të vogël, Seter etj.
Si bëhet kryqëzimi i qenve në mënyrë të tillë që qentë që kryqëzohen të mos kenë bashkëgjakësinë?
Për rifreskimin dhe ruajtjen të pastër të racës marrim riproduktorë meshkuj dhe femra nga jashtë. Nënat dhe meshkujt që përdoren për mbarështim dhe riprodhim nuk përdoren si qen shërbimi. Për trajnimet përdoren këlyshët që lindin nga këta riproduktorë.
Si bëhet regjistrimi i këlyshëve që lindin?
Çdo qen këtu ka pasaportën personale, në të cilën përfshihen: emri i qenit, mikroçipi, të dhënat e pemës familjare dhe shenjat e veçanta dalluese që mund të ketë qeni, si dhe gjithë vaksinimet, mjekimet dhe depistimet e ndryshme.
Çfarë shërbimesh ofrohen në klinikën veterinare këtu në shkollën e qenve?
Në institut ofrohen të gjitha shërbimet bashkëkohore, duke filluar me perfilaksinë e përgjithshme dhe deri te ndërhyrjet nga më të vështirat. Klinika veterinare është e pajisur me aparatura moderne diagnostikuese dhe mjekuese, si Eco, aparat radiografie, elektrobisturi etj.
Këto aparatura janë siguruar si donacioneve të dhuruara nga misioni policor ICITAP.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
