Java e fundit është shoqëruar me reshje të vazhdueshme shiu, pothuajse në të gjithë territorin.

Me të drejtë, duke iu referuar kushteve atmosferike të kësaj jave, qytetarët janë merakosur për kushtet meteorologjike të ditës së nesërme, që përkon dhe me ditën e votimit të qeverisë së re.

Akil Osmani, meteorolog i Metoalb, në një lidhje direkte me studion e lajmeve në “News 24”, tregoi se duke nisur nga pasditja e sotme, (e shtunë 24. 04. 2021) do të ketë një përmirësim të kushteve atmosferike, e cila do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Gjithashtu Osmani, tha se dhe java në vazhdim do të vijojë me kushte atmosferike të përshtatshme për periudhën e verës, ku në ultësirën Perëndimore, temperaturat pritet të shkojnë deri në 28 gradë celsius.

“Që në orët e pasdites presim një përmirësim të motit në territorin shqiptar, përmirësim i cili do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme që përkon me zgjedhjet në vendin tonë, duke bërë që ditën e nesërme të kemi mbizotërim të kthjellimeve në territorin shqiptar, vranësira të pakta, por që nuk do të jenë problematike. Po ashtu do të kemi rritje të vlerave termike duke bërë që në zonat malore, vlerat maksimale të shkojnë në 17 apo 18 gradë, ndërsa në ultësirën Perëndimore pritet të ketë edhe vlera 22 apo 23 gradë celsius.

Dita e nesërme do të jetë ditë tipike pranverore, e cila do të jetë me shumë diell dhe me temperatura relativisht të ngrohta. Java që vjen do të ketë një rritje graduale të vlerave termike duke bërë që maksimumet në zonat malore të shkojnë edhe në 20 gradë celsius, ndërsa në ultësirën Perëndimore, priten edhe vlera 27 apo 28 gradë celsius, kjo pasi pritet të ketë mot të qëndrueshëm në vendin tonë. Edhe vranësirat edhe reshjet e shiut do të jenë prezente, por do të jenë shumë të pakta dhe nuk parashikohen problematika”, u shpreh meteorologu Osmani.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb