LUSHNJË

Procedohen penalisht dy kandidatë të PD në qarkun e Fierit si dhe 18 simpatizantë. Enkelejd Alibeaj dhe Saimir Korreshi bashkë me 18 simpatizantët janë proceduar penalisht nga policia pas përplasjeve të ndodhur ditën e djeshme në Divjakë.

Sipas policisë, edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, këta persona bllokuan rrugën.

NJOFTIMI I PLOTË
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, filloi procedimi penal për shtetasit:
E. A., S. K., I. Dh., E. V., A. M., S. S., L. Z., H. D., L. Zh., F. M., A. M., A. B., A. K., A. P., A. K., L. Rr., A. K., D. S., A. Sh., F. Sh.
Në datë 24.04.2021, në orën 22:35, në Sallën Operative ka telefonuar një qytetare e cila thotë se në fshatin Shën e Premte, Divjakë, përreth banesës së saj ka grumbullim personash dhe automjetesh.

Pas telefonatës, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe konstatuan se përreth banesës së shtetases K. G. ishin grumbulluar disa mbështetës të një subjekti politik, të cilët pasi u pyetën nga policia, pretendonin se ishin për mbrojtjen e votës së lirë.
Për këta shtetas u mor masa administrative për shkelje të aktit normativ dhe iu kërkua që të shkonin në banesat e tyre.
Në këto momente në vendngjarje kanë mbërritur edhe drejtues politikë të kësaj partie me disa simpatizantë të tjerë të cilët edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, bllokuan rrugën.

Në vijim të veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë dhe me Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, u proceduan në gjendje të lirë 20 shtetas për veprat penale “Organizime dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb