Përfaqësuesi i PD, Marash Logu ka denoncuar në KAS se një nga vëzhguesit demokratë është kërcënuar me jetë nga Joana Melëngu, vëzhguese e PS.

Logu thotë se Melëngu është e njëjta që u kap më 20 prill me furgonin e ushqimeve nga Rezerva e Shtetit duke i shpërndarë tek qytetarë për të marrë vota.

Ai thekson se Melëngu i ka thënë vëzhguesit të PD ‘’Do ta shohësh kur të dalësh jashtë, do ta pres gjuhën’’.

‘’Sot dhe ditën e djeshme në tavolinën e numërimit shtetasja Joana Melenku vëzhguese e PS, kryetare e njësisë administrative nr.2 në Berat ka kërcënuar një vëzhgues të PD. Do ta shohësh kur të dalësh jashtë, do ta pres  gjuhën i ka thënë. Joana Melëngu, është e njëjta. Kjo fjalë duhet mbajtur këtu se ka lidhje me këtë proces. Joana Melenku që kërcënoi vëzhguesin e PD, më 20 prill 2021 u kap në flagrancë duke ndarë ndihma ushqimore në këmbim të votës. Me paturpësi, në shkelje flagrante të ligjit, shantazhon e kërcënon një vëzhgues të PD. A e kuptoni zotërinj çfarë po ndodh këtu?

Ka kërcënuar me jetë vëzhguesin e PD. E njëjta që më 20 prill shpërndau ndihma ushqimore. Nuk kemi frikë ti denoncojmë këto fakte, s’doni ti pranoni. ‘’- tha Logu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb