Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka njoftuar se djali i saj 9-vjeçar është sulmuar sot nga qentë endacakë.

Përmes një postimi në Facebook, ku ka bashkangjitur dhe fotografi, ajo ka thënë se ngjarja ka ndodhur në hyrjen e oborrit të shkolles “Ismail Qemali”, në Prishtinë.

“Sot cak i një sulmi nga qenët endacakë ishte djali ynë Edoni, 9 vjeçar, në afërsi të shkollës së tij “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit në Prishtinë. Sulmi ndodhi në mes të ditës, ora 1:15 mesditë, derisa djali ishte duke hyrë në oborrin e shkollës. Reagimi i mësuesës, drejtoreshës dhe pastaj emergjencës ka qenë i menjëhershëm dhe pas intervenimit kirurgjik (qepjes) në Emergjencë, Edoni është duke u trajtuar në shtëpi. I falenderoj me radhë të gjithë që sot ishin me Edonin pas sulmit që i ndodhi”, tha ajo.

Më tej, deputetja theksoi se me këtë problem përballen edhe qindra familje.

“Problemi që sot preku edhe familjen tonë, ka prekur qindra familje në mbarë Kosovën, jam shumë e vetëdijshme për këtë. Është i domosdoshëm trajtimi përmbajtësor i problemit të qenëve endacakë. Problemi i rrugës nuk mund të jenë qenët endacakë, por mënyra se si njerzit i trajtojnë ata”, u shpreh Kusari.

Ajo uroi që djali i saj të jetë i fundit që pëson nga sulmi i qenve.

“Unë nga zemra uroj që djali ynë të jetë i fundit që e përjetoi traumën e sotme, por frikohem se nuk do të mbaroj me kaq”.

“Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngrisim vëmendjen për trajtimin e qenëve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre”.

“Nuk e fajësoj askënd sonte, dua të kalojmë këtë mbrëmje me falenderimin se nuk u bë më keq, por jo edhe për të ardhmen. Nuk dua të pranoj si standard këtë realitet, e nuk duhet askush të lejoj të kemi siguri të këtij niveli në rrugët tona”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb