TIRANE- Kryeminstri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit Lefter Koka prezantuan sot moratoriumin e pyjeve, i cili, sipas Ramës parashikon masa radikale për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi. Një nga këto masa është edhe ndalimi për 10 vite i shfrytëzimit të pyjeve.

“Për ne është një sfidë e dyfishtë, e para është ajo e ndryshimit të klimës që na prek dhe e dyta sfida shqiptare e erozionit të shkaktuar nga dora e njeriut. Kjo është pasoja e gjithë atij zhvillimi kaotik në 25 vite të bazuar në ndërtimtarinë kuturu duke shfrytëzuar si material ndërtimi të ardhmen dhe duke marrë borxh atë që s’mund të merret borxh kurrë, për të ndërtuar sot për sot. Edhe toka është një organizëm i gjallë”,- tha Rama ndaj u shpreh se reagimi duhet të jetë radikal.

“Shfrytëzimi i lumenjve, pyjeve, shkatërrimi i infrastrukturës mbrojtëse na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere që ne prej 2 vitesh kemi marrë masa për ta shmangur. Sot do shkojmë një hap më tutje, të hedhim hapin për ndalimin absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, qëllime tregtare që shkojnë përtej nevojës jetike të banorëve të zonave të ndryshme. Moratorium 10 vjeçar për pyjet”,- shtoi ai.

Kryeministri theksoi se qeveria e tij është e vendosur për dy ndërhyrje madhore kundër prerjes së pyjeve, moratoriumin 10-vjecar dhe paketën e ndëshkimit të krimit mjedisor.

“Moratoriumi është një kërkesë që nuk vjen sot. Por është një kërkesë që sot nuk mund të refuzohet më nga ligjvënësit e Shqipërisë. Është në parlament dhe ne presim me padurim hapjen e sesionit të ri për të miratuar moratoriumin, për të cilin na është dashur të diskutojmë pafundësisht me grupe interesi që preken nga kjo masë drastike, por edhe me deputetë, të cilët për një arsye apo për një tjetër i janë kundërvënë moratoriumit. Garanton shfrytëzimin e pyjeve me kritere të përcaktuara, përmes një kontrolli shumë rigoroz që do të kryhet nga Ministria e Mjedisit.”- deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se autoritetet do të reagojnë me vëndosmëri, pa asnjë tolerancë, në çdo rast që do të ballafaqohen me fenomenin e përfshirjes së njerëzve që paguhen nga taksat e popullit, në shfrytëzimin ilegal të pyjeve.

Gjatë fjalës së tij Rama shtoi se vetëm në periudhën 2007 dhe 2013 janë shkatërruar 216 mijë hektar pyje, ndërsa pohoi se nëse do vijohej me këto ritme, pas 15 vitesh Shqipëria do ti ngjatje një vendi lakuriq.

“Çfarë ka ndodhur për shkak licencash të dhëna pa kriter. Për shkak të 400 e kusur licencash për hidrocentrale pa kriter dhe pa karar që kanë sjell dëme. Ndaj sot nuk kemi as më të voglin hezitim për të vendosur moratoriumin 10-vjeçar. Po kaq agresiv në përmbajtje, kur hodhëm në publik idenë e moratoriumit të gjuetisë. Me shkatërrimin e pyjeve u bë përzënia e të gjitha specieve, me krah e këmbë për të ikur nga ky vend. Të cilat kanë filluar të rikthehen dhe të ripërtërihen këtu në Shqipëri. Vetëm në periudhën 2007 dhe 2013 janë shkatërruar 216 mijë hektar pyje. Me këtë raport, ne mund ta parafytyrojmë Shqipërinë e 15 viteve më pas, si një vend tërësisht lakuriqsh, të qethur dhe të rruar dhe padyshim të përmbytur njëherë e mirë. Kjo është një perspektivë tërësisht e mundur.”, theksoi Rama.

Ndër të tjera Rama nuk harroi pa korrigjuar ministrin e Mjedisit, se monitorimi me kamera termike do të bëhet këtë vit dhe jo në 2016, siç dhe pohoi Koka. “Ministri bëri një lapsus, tha në vitin e ardhëm tha se do i vendosim kamerat termike, pasi do i vendosim këtë vit. Por meqë jemi në kufirin e afërt të ndërrimit të viteve, ministri u ngatërrua e ju duk e largët. Paketa e krimit mjedisor, që do ti shkoj Kuvendit, për të forcuar masat në Kodin Penal plotëson nevojën për një qasje komplekse. Ka shumë gjëra që janë për tu bërë, saqë në çdo rast kur ballafaqohen me plagët e të kaluarës, ka një shprehej nervozizmi.”, tha kryeministri.

Kreu i Ekzekutivit iu përgjigj ndër të tjera dhe akuzave të bëra në drejtim të qeverisë së tij sa i takon premtimeve që sipas qytetarëve janë të përmbajtura. “A thua se të votosh për të ndryshuar qeverinë, qeveria e re duhet të ndryshojë shumë gjëra? E vërteta është pak më ndryshe. Nuk mund të ndryshon në një kohë të shkurtër ngrehinë e një shtetit. Moratoriumi i pyjeve është thjesht një prej masave për të parandaluar përmbytjet. Nëse përmbytjet janë një fenomen që po prekin dhe vendet e zhvilluara.”, tha Rama.

Koka: Ligji i ri për pyjet, nën administrimin e qeverisjes vendore
Nderkaq ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaroi se monitorimi i pyjeve kundër prerjes së paligjshme do të bëhet me kamera termike. I pranishëm në një takim mbi moratoriumin e pyjeve dhe krimin mjedisor, Koka pohoi se nga evidentimet e Ministrisë mbi 400 kompani nuk kishin kontratë. Ndër të tjera Koka theksoi rëndësinë e vendimit që sipas tij është historik, atë të moratoriumit 10 vjeçar që pengon prerjen e pyjeve.

“Ne mundëm të bëjmë reformën administrative, krimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si dhe dy institucione të tjera. Vetëm në 2 vjet janë bërë mbi 7 mijë inspektime dhe janë vënë mbi 750 milionë lekë gjobë. Në 2 vjet ne lidhëm marrëveshje me këto kompani. Më vjen mirë se shumë prej këtyre kompanive reaguan, edhe pse pas një gjumi letargjik. Po ndërhyjmë në një sektor qe përbën DGP-në e vendit, pra ky është një vendim historik. Do monitorojme pyjet me kamera termike vitin e ardhshëm. Ne morëm këtë vendim për të shpëtuar këtë tokë, nga erozioni dhe ndoshta do vazhdojmë të kemi sulme, akuza.”, tha ministri.

Ai pohoi se ligji i ri i pyjeve do të kalojë nën administrimin e qeverisjes vendore. “Sot puna jonë fillon me një faze të e ligji i ri i pyjeve do kalojë nën administrim të qeverisjes vendore. Do inspektohet nga Inspektorati i Mjedisit. Ajo çka është e rëndësishme është vendosja e një moratoriumi 10 vjeçar kundër prerjes së pyjeve. Ky vendim s’ka qenë i lehtë për tu marrë, por pas shumë konsultash, rezultoi se duhet vendosur. Ne vazhdojmë të kemi një dezinekuilibër.”, përfundoi ministri.

Në fund të konferencës, kryeministri Rama është pyetur nga gazetarët për dështimin e konsensusit për reformën në drejtësi, por ai ka thënë se “moratoriumi i pyjeve më i rëndësishëm sesa reforma”.
(er.nu/ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: