Edhe pse Interi u shpall kampione e “Serie A” pas 11 vitesh nga titulli i fundit i fituar, situata në ambientin zikaltër nuk është ajo më e mira e mundshme.

Largimi i Antonio Contes nga drejtimi i ekipit, ka trazuar jo pak ujërat, ndërsa largimi i mundshëm lojtarëve kyç të skuadrës këtë sesion merkatoje, ka hidhëruar jo pak tifozët. Ata kanë akuzuar për këtë drejtpërdrejt presidentin Steve Zhang, duke i kërkuar këtij të fundit, me anë të një banderole para selisë së klubit, që të largohet nëse nuk investon ardhmërinë e skuadrës.

Por, nën këto zëra, është duke u menduar një ide e çmendur. “Interspac”, një shoqatë e krijuar nga tifozët e Interit, ka mbledhur bordin e saj të drejtorëve. Po diskutohet që të ndërmerren hapat e duhura për të marrë pronësinë e klubit zikaltër.

Veprimi i parë që ata do të ndërmarrin është pranimi i anëtarëve të rinj në shoqatë, të cilat mund të jenë kontribuues i miliona eurove. Ndërsa ideja tjetër, është afrimi i mijërave tifozëve zikaltër si anskionerë të klubit.

“Ky model nuk është i panjohur, ndiqet nga Bayern Munich dhe ka mjaft sukses”. Kështu është shprehur ekonomisti Carlo Catarelli, një nga themeluesit e Interspac.

Më tej ai ka shtuar:

“Ideja jonë është më shumë se një ëndërr, kemi një vizion të madh për të mbajtur Interin në nivele të larta”.

Për këtë hipotezë, sipas mediave italiane duhet ende kohë, pasi nevojitet një periudhë disa mujore për të mbledhur fondet e mjaftueshme. Tifozët e Interit janë entuziast ndaj kësaj ideje, pasi mund të kenë vetë në dorë fatet e ekipit të tyre.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: