Këshilli Europian ka përditësuar listën me vendet e përfshira për heqjen e kufizimeve për udhëtimet në BE.
Në këtë listë ndodhet edhe Shqipëria, dhe tashmë vendet e BE rekomandohet t[u heqin gradualisht kufizimet e udhëtimeve në kufijtë e jashtëm për banorët vendeve të cilësuara si të treta.
Çdo dy javë kjo listë do të rishikohet nga Këshilli Europian, teksa nga sot BE heq kufizimet e udhëtimeve me Shqipërinë. Më pas është në dorë të vendeve të BE nëse do e zbatojnë individualisht këtë vendim për Shqipërinë ose jo.
SQARIMI NGA MEPJ
Rekomandimi i BE, Shqipëria në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen
Pas masave kufizuese të vendosura për shkak të situatës së pandemisë, Këshilli i BE ka miratuar rekomandimin për rishikimin e listës së vendeve, qytetarët e të cilave mund të rifillojnë lëvizjen e lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Lajmi është bërë publik nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përmes rrjeteve sociale.
Në këtë listë ende të kufizuar është përfshirë Shqipëria, pas këmbënguljes dhe punës disa javore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.
Rekomandimi i Këshillit të BE, vjen si rezultat i përmbushjes së kritereve strikte të kontrollit të pandemisë në vend dhe masave të marra nga qeveria shqiptare për adresimin efektiv të kësaj sfide të përbashkët.
MEPJ rithekson rëndësinë e respektimit të masave nga qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kujdesi duhet të vazhdojë të jetë maksimal edhe gjatë lëvizjes në vendet e BE, të cilat mund të kenë protokolle specifike edhe pas rekomandimit të fundit.
(BalkanWeb)