Nga KLODIANA HAXHIAJ* DURRËS- “Mua djali më del në ëndërr dhe më thotë: mjekët po më vrasin, të lutem baba më ndihmo!”. Kështu e nis rrëfimin e tij rrënqethës Hamza Elezi, babai i 3-vjeçarit Adriano Elezi që ndërroi jetë më 21 nëntor, krejt papritur pas një sëmundje në mushkëri.

50-vjeçari Elezi akuzon mjekët, duke filluar nga poliklinika e lagjes në Durrës deri tek ata të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, aty ku vogëlushi dha frymën e fundit. Ai i bën apel institucioneve qendrore dhe kryeministrit Rama të marrin masa ndaj mjekëve që sipas tij shkaktuan vdekjen e djalit.

Në një intervistë për “News24”, Hamza Elezi kërkon zbardhjen e së vërtetës për vdekjen e djalit të tij nga organet kompetente dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. “As unë dhe as gruaja nuk po flemë më. Bashkëshortja nuk ka më as qumësht gjiri, për të voglin që na erdhi në jetë, atë ditë që Adriano, ndërroi jetë në spital në Tiranë. Ne si prindër duam që të dalin përgjegjësit e vërtetë të vdekjes së djalit tonë, i cili nuk ka qënë i sëmurë, por një fëmijë i shëndetshëm, plot jetë dhe i bukur, si të gjithë moshatarët. Një fëmijë i shkathët që luante me fëmijët në kopësht që shkoi në spital dhe vdiq”, tregon mes lotëve 50-vjeçari.

Hamza kur e keni çuar për vizitë fillimisht fëmijën?
Më 10 nëntor të 2014 e çova tek poliklinika e lagjes numër 1. Kishte pak kollë dhe pak temperaturë. Aty më dhanë një shurup dhe një sprajt për bajamet. E pashë që djali nuk ishte mirë dhe të nesërmen e çova në pediatri, në urgjencën e Durrësit.

Për çfarë date bëhet fjalë?
Më 11 nëntor jam paraqitur në urgjencë. Nuk më kanë shërbyer në urgjencë, djali ishte me temperaturë, ato më kërkonin libreza e nuk di çfarë. Ishte mjekja Ganimete ose Gani i thërrisnin. Pas shumë lutjesh e dërguan për ti bërë një grafi dhe djali doli me bronkopneumoni. Mjekja më dha një recetë ku duhej ti bëja për tre ditë antibiotik “Davikson”. Për tre ditë nga dy herë në ditë mori mjekim djali.

Po më pas çfarë ndodhi?
Pas tre ditësh nga e marta, në datë 11, e çova më 14 nëntor pasi i kishte përfunduar antibiotiku sërish për kontroll. Sërish ishte mjeke Ganimetja. E dërgoi djalin për grafi dhe më tha që djali qenka përkeqësuar. I thashë po si është përkeqësuar kur ju më dhatë garanci se do bëhej mirë? Më pas më tha se do ta shtrojmë dhe e shtroi për disa orë. Aty mjekët u morën me mua më shumë sesa me djalin, nuk më lejonin ta ndiqja djalin me pretendimin se nuk lejohej babai po duhet nëna. Nëna nuk ishte se ishte e shtruar në maternitet. Këtu qëndroi për disa orë dhe erdhi një mjek roje nga ora 3 e 30 dhe ai mori përsipër, që për një mjekim të specializuar ta nisnin në Tiranë. Nuk pati konsulta me mjekët specialistë. Pas një tre orësh erdhi ambulanca që do na çonte neve në Tiranë. Diskutohej që po nuk i dhe lekët e ambulancës nuk vjen ambulanca se nuk ka karburant. Para se të nisej në Tiranë fëmija nuk ishte në gjendje kritike për jetën. Djali nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë më parë.

Çfarë ndodhi kur mbërritët në spitalin e Tiranës?
Po në 14 nëntor, para se të niseshim për në spitalin “Nënë Tereza” mjeku i Durrësit duhej të fliste me specialistin në Tiranë. Atje nuk na priti asnjë njeri që të merrej e të vizitonte menjëherë djalin tim. Në Tiranë na ngjitën në spitalin e Neurologjisë dhe jo në Pediatrinë e Fëmijëve. Diskutohej që nuk kishte vende për të shtruar fëmijën. Më dolën dy infermiere dhe më lanë dy orë tek salla e mbledhjeve të mjekëve se nuk kishte vende. Atje më çuan tek një mjek roje nga ora 7 e 30 e darkës dhe mjeku roje që e kishte emrin Mondi më tha që djalin e ke me Bronkopneumoni pasi e vizitoi. I kërkova që të kontaktoja me mjekun specialist por më tha që sot është e premte pastaj është fundjava dhe është e pamundur që mjekët specialistë të vijnë këtu.

Sa qëndroi djali në Neurologji?

Nga data 14 deri në 17 nëntor, deri të hënën paradite, djali u përkeqësua. Kërkova mjekë që ta shikonin po nuk kishte se ishte e diel. Të hënën në mëngjes e çuam në repartin e sëmundjeve të brendshme. Aty ishte një mjeke, Melpomeni, e cila e vizitoi dhe tha që djali ka mbledhur ujë në mushkëri. Por operacionin e shty për të martën. Të martën e futën në sallë operacioni. Aty pas operacionit djali u përkeqësua edhe më shumë. Aty dolën edhe shumë probleme të tjera. Ajo më tha që duhet mjekim i specializuar dhe i kam bërë edhe gjilpëra shumë të shtrenjta me shpresën që të shpëtonte. Në orën 6 të mbrëmjes djali u përkeqësua. E futën për herë të dytë në sallë operacioni po atë ditë me pretekstin se kishte infeksion të brendshëm.
Nga e premtja në datë 14 deri në datë 18 nëntor, asnjë nuk e vuri ujin në zjarr. Djali ndërroi jetë mëngjesin e së premtes, më 21 nëntor. Mjekët e Tiranës na thanë që mjekët e spitalit të Durrësit e kanë sjellë me vonesë. Unë akuzoj mjeken Ganimeten, mjekun e rojës Mondin, Melpomenin, Kolin kirurgun, të gjithë.

Kujt i jeni drejtuar?
Në radhë të parë kam bërë kallëzim penal në polici. I jam drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, Ministrit të Drejtësisë, Kryeministrit Edi Rama, Saimir Tahirit. Deri në këtë moment nuk më është dhënë asnjë përgjigje.

Si do të veproni më tej?
Do ti drejtohem Kryeministrit: Nëse do të ndodhte kjo, me ndonjë fëmijë ministri çfarë do të bënin këta? A do të merrnin masa për mjekët? Atë të bëjnë edhe për djalin tim.

 

NËNDREJTORI I SPITALIT TË DURRËSIT: GJENDJA E FËMIJËS JO E MIRË

Pas denoncimit të Hamza Elezit për vdekjen e djalit të tij 3 vjeç e gjysmë, ka reaguar Nëndrejtori i Spitalit të Durrësit, Genti Kavaja, i cili deklaron se për këtë ngjarje ekzistojnë dy kartela.

“Në kartelën e datës 11 nëntor rezulton se ka mbërritur në 3 e 30 me temperaturë 38.5, kishte marrë trajtim në lagje. Ka bërë radiografi të pulmoneve dhe ka rezultuar me bronkopneumoni. Nuk ka pranuar të hospitalizohet. Fëmija vjen në datë 14 me temperaturë dhe simptoma. U kërkua të bëhet radiografi. Pneumoni sinistre dhe bronkopneumoni laterale”, sqaron nëndrejtori i Spitalit të Durrësit.

Ai thotë se gjendja e fëmijës ka ardhur duke u përkeqësuar dhe për këtë arsye është dërguar në Tiranë, pasi Pediatria e Durrësit nuk është qendër terciare. “Gjendja ishte jo e mirë janë plotësuar letrat pas dy orë trajtimi intensive. Fakti që fëmija ka riardhur në spital tregon se nuk është bërë më mirë. Ka sëmundje që nuk mund të përmirësohen menjëherë. Pas terapisë ultravenoze është parë që duhet të bëhet trajtimi më i specializuar në Tiranë, sepse Pediatria e Durrësit nuk është qendër terciare”, thotë Kavaja.

 

PROKURORIA NIS HETIMET

Burimet zyrtare pranë organit të akuzës në Durrës kanë konfirmar se ka nisur hetimi pas kallëzimit që ka bërë shtetasi Hamza Elezi. “Çështja është regjistruar, dhe ka nisur hetimi për vdekjen e vogëlushit në Tiranë. Pritet që të bëhet sekuestrimi i kartelave mjekësore”, bëhet me dije zyrtarisht nga Prokuroria e Durrësit.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: