Procesi zgjedhor është vlerësuar pozitivisht në raportin e hartuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Sipas gjetjeve të përfytuara nga ekipi që vëzhgoi zgjedhjet e 25 Prillit, në shumicën e qendrave të votimit të vizituara, procesi i votimit ishte përgjithësisht i qetë.

“Sekreti i votës u respektua. Delegacioni i Asamblesë vuri në dukje se votuesit kishin një zgjedhje të kandidatëve, të cilët ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, në një kornizë ligjore e cila respekton liritë themelore. Delegacioni i Asamblesë zbuloi se përkundër disa paqartësive dhe mospërputhjeve, korniza ligjore përbën një bazë të përshtatshme për zhvillimin demokratik të zgjedhjeve. Identifikimi elektronik përgjithësisht u krye sipas procedurave.”

Por dokumenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, raporton mbi pretendimet dhe akuzat e ngitura për shit-blerje të votave, fenomen për të cilin kërkohet të hetohet.

“Delegacioni i Asamblesë shprehu shqetësimin në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike, të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës. U vu re se një numër hetimesh u hapën në lidhje me ketë çështje. Prouroria Speciale kundër Korrupsionit informoi vëzhguesit ndërkombëtarë se deri më 24 Prill kishin nisur 30 procese hetimore në lidhje me blerjen e votës. Delegacioni i Asamblesë pret që autoritetet përkatëse shqiptare të marrin masat e duhura, rastet të hetohen dhe të ketë informacione për rezultatet në kohën e duhur.”

Në një nga pikat e raportit prej 15 faqesh përmendet edhe databaza me të dhënat personale të qytetarëve.

“Gjatë fushatës rezultoi një bazë të dhënash që përmbante informacione personale të rreth 900 mijë shtetasve shqiptarë, kur gjithashtu përmbante preferenca të mundshme të votimit. Partitë e opozitës, Presidenti dhe shumë në media bënë thirrje për një hetim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion mbi keqpërdorimin e pretenduar të të dhënave personale të qytetarëve.”

Zgjedhjet e 25 Prillit u vëzhguan nga një ekip i Këshillit të Europës. Në raport thuhet se në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, delegacioni i Kuvendit u nda në 11 ekipe dhe vëzhgoi procesin e votimit në disa prej qendrave të votimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: