TIRANË

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e ka cilësuar një utopi krijimin e një baze me të dhëna për armët pa leje që qarkullojnë në Shqipëri. Duke folur për situatën e sigurisë në vend, pas ngjarjeve të fundit, Çuçi fajësoi sërish prokuroritë dhe gjykatat duke kërkuar që ligji për armëmbajtjen pa leje të zbatohet me gjithë forcën.

“Në lidhje me database për armët që qarkullojnë në Shqipëri pa leje besoj se do ishte një utopi që ne të besonim që jo shteti shqiptar që trashëgon nga e kaluara e afërt një histori të errët të shpërndarjes së armëve pa asnjë kriter në pothuajse çdo shtëpi shqiptari, por çdo shtet besoj unë nuk mund të ketë një database të armëve që nuk janë me leje sepse do ishte absurde. Ajo që bëjmë ne është që ne të mundohemi të parandalojmë përdorimin e këtyre armëve me sa mundemi. Rastet që na vijnë nga gjyqësori, nga prokuroria, janë raste që pengojnë punën e Policisë së Shtetit në këtë drejtim, si dhe është përkundër vullnetit të shoqërisë shqiptare që elementë të rrezikshëm të dënohen me maksimumin që jep ligji në rast se kapen në flagrancë me armë pa leje. Rasti i fundit në qershor, ku tre personazhe të botës së krimit janë kapur në flagrancë me fishekë në gojë të armëve dhe gjykata e ka dhënë vendimin me masa lehtësuese, arrest në shtëpi. A do donin shqiptarët që të ishin në burg këta persona, padyshim që po. Ligji të zbatohet me të gjithë forcën, siç e ka parashikuar ligjvënësi për armëmbajtjen pa leje”, tha ai.

Sa i përket krijimit të xhandarmërisë, ministri theksoi se për xhandarmërinë janë diskutime, nuk ka projekt konkret sepse ende nuk shihet arsye e fortë që të futet një strukturë e re ekstra, kur edhe vende që e kanë po e shkrijnë brenda policisë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb