TIRANË- Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, u inaugurua shërbimi i lëshimit të certifikatave të gjendjes civile, shërbim i cili do të ofrohet tashmë në të gjitha zyrat konsullore pranë Ambasadës sonë në Romë dhe Konsullatave në Bari dhe Milano.
Ministria e Punëve të jashtme njofton se lëshimi i certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë, rezidentë në territorin italian, u mundësua falë bashkëpunimit me qeverinë italiane në kuadër të angazhimit të shtetit shqiptar për të reformuar shërbimet konsullore.
Sipas MPJ, kjo reformë ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave, si dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë. MPJ synon që brenda vitit 2016, në kuadër të projektit të “Konsullatës Digjitale”, një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat.
(ed.me/BalkanWeb)
