Nga: Ornela Manjani*
TIRANE- Regjistrimet e të gjitha kontratave që kanë lidhje me pronën, verifikimet për gjendjen e pronës, madje regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, nga e marta që vjen do të kryhen te noterët.
Kryetarja e Dhomës së Noterisë, Mimoza Sadushi, në një prononcim për “Gazetën Shqiptare” bën të ditur se nga data 19 janar, të gjithë noterët do të ofrojnë 25 shërbime që kanë lidhje me pronat, veprime të cilat deri tani kryheshin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Kalimi i shërbimeve pranë zyrave noteriale do të shkurtojë kohën e kryerjes së veprimeve me pronat për qytetarët dhe bizneset. Në rast se më parë një qytetari i duhej të priste disa ditë për të marrë përgjigje në lidhje me gjendjen e pronës së tij, me ndryshimet e fundit ligjore veprimi do të kryhet në moment”, – thotë Sadushi. Sipas saj, ndryshimet e fundit ligjore i vijnë në ndihmë biznesit. “Regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi do të kryhet menjëherë, duke shkurtuar kështu kohë dhe kosto për biznesin”, – deklaron kryetarja e Dhomës së Noterisë. Një tjetër problem që pritet të marrë zgjidhje përfundimtare është shitja më shumë se një herë e një prone. Noterët do të kenë në dispozicion listën e pronave ku verifikohet gjendja juridike e tyre, dhe në momentin e lidhjes së kontratave për shitblerje bëhet e mundur shmangia e gabimeve.
Tarifat
Kryetarja e Dhomës së Noterisë bën të ditur se janë miratuar edhe tarifat për 25 shërbimet që do të ofrohen nga noterët. Kështu, regjistrimi i akteve noteriale që lidhen ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarëve të pasurisë apo me subjektet e treta kushton 3.500 lekë. Ndërsa regjistrimi i të gjitha kontratave, për shitje, dhurim, heqje dorë nga pronësia, shkëmbim, dhënie me qira apo akt trashëgimie do të kushtojnë nga 700 lekë deri në 3.500 lekë. Konsultimi i kartelës së pasurisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme do të ketë një tarifë prej 700 lekësh. Ndërsa verifikimi online i gjendjes juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme do të ketë tarifën 600 lekë. Sipas kryetares së Dhomës së Noterisë, regjistrimi i kontratës së shitjes, kontratës së shkëmbimit dhe kontratës së dhurimit me rezervë/kusht të pasurisë së paluajtshme do të kushtojë 900 lekë. Regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë deri në 1.000.000 lekë do të ketë një tarifë prej 7.500 lekësh.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
