Ministria e Mbrojtjes, njofton se në të gjithë territorin e Shqipërisë, aktualisht janë aktive 7 vatra zjarri. Në njoftim thuhet se era po përkeqëson situatën në Dukat e Kalimash.

Rreth 200 trupa të FA janë në gatishmëri për të izoluar dhe neutralizuar flakët, si dhe po vijon puna për shuarjen përfundimtare të flakëve në Gjirin e Gramës.

Njoftimi i MM:

7 vatra aktive zjarri në vend, era përkeqëson situatën në Dukat e Kalimash

Në të gjithë vendin janë aktive 7 vatra zjarri. Në Dukat situata është kritike, pasi era ka ndikuar në përhapjen e flakëve, duke shtuar intensitetin e tyre. Rreth 200 trupa nga Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të bërë të mundur izolimin e zjarrit. Ndërsa vijon po ashtu puna për shuarjen përfundimtare të flakëve në Gjirin e Gramës.
Zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale.

Mbetet aktiv zjarri sipër
Tunelit të Kalimashit, ku situata është përkeqësuar për shkak të erës. Po punohet për të mos lënë përhapjen në territorin e njësisë administrative Surroj, ku mund të ketë rrezik për stanet e fshatit.

Puna vijon pandërprerë me vatrat në fshatin Thirrë dhe fshatin Munellë-Domgjon, të bashkisë Mirditë, ku ende ka vatra aktive në një pjesë të zonave.
Në kontroll janë vatrat në fshatin Vermosh, në Malësi të Madhe, vatra në luginën e Valbonës në fshatin Klysyrë si dhe vatra në fshatin Gjorgos në Cakran të Fierit.

Zjarri i rënë në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por po mbahet nën monitorim.
3 vatra të tjera si ajo në fshatin Deshiran në bashkinë Belsh, zjarri në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por edhe zjarri i rënë në zonat e mbrojtura, Parku Kombëtar, Bredhi i Hotovës-Dangëlli tashmë janë shuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb