Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka autorizuar dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së për ndihmë Shqipërisë në shuarjen e zjarreve.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës.

Trupat dhe pajisjet FSK-së, do t’i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.

Raportohet se Zona e Karaburunit mbetet problematike në luftën me zjarret në Shqipëri, meqë flakët gjatë ditës së hënë i janë afruar edhe Parkut të Llogarasë.

Beteja me zjarret po vazhdon prej dy javësh në Shqipëri, ndërsa policia shqiptare ka njoftuar ditët e fundit dhe për arrestimin e disa personave në zona të ndryshme të vendit, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Edhe autoritetet në Kosovë janë përballur me zjarre përgjatë këtij muaji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb