Bota e tenisit është tronditur nga zbulimi i “BBC” për trukimin e ndeshjeve, një lajm që ka tërhequr vëmendjen e numrit 1 të botës, Novak Xhokoviç, i cili e pranon se edhe vetë personalisht është kontaktuar për të ndikuar në rezultatin e ndeshjes së tij. Tenisti serb deklaron se bëhet fjalë për vitin 2007 gjatë turneut të Shën Peterburgut.

“Nuk bëhej fjalë për një takim direkt me mua, por nëpërmjet personave që punonin në atë kohë me mua. Sigurisht që e injoruam një ofertë të tillë dhe djali që bëri ofertën nuk arriti të më takonte”, – thekson Xhokoviç. Tenistit serb iu ofruan 200 mijë euro, por ai e cilëson këtë një krim për sportin. “Gjatë 6-7 viteve të fundit nuk kam hasur në asnjë gjë të tillë. Personalisht s’kam takuar asnjë person dhe nuk mund të thellohem më shumë te ky argument”, – nënvizon numri 1 i botës.

Ai shton gjithashtu, se dëshiron që emri i tij të mos lidhet asnjëherë me çështje të tilla dhe ka punuar që njerëzit pranë tij ta respektojnë sportin. “Me sa jam në dijeni, në këtë mes nuk janë përfshirë as lojtarë të tjerë të kalibrit botëror. Ndoshta të tilla raste mund të ketë në nivele të tjera më të ulëta, por nuk di çfarë të them dhe nuk mund të jap një mendim të saktë”, – përfundon deklaratën e tij Novak Xhokoviç.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: