Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle deklaroi sot se talebanët qëlluan dhe vranë një anëtar të familjes së një prej reporterëve të tyre në Afganistan dhe plagosën rëndë një anëtar të dytë të familjes.

Transmetuesi tha në një deklaratë të enjten se luftëtarët talebanë po kërkonin reporterin e Deutsche Welle dhe po kontrollonin shtëpitë në Afganistanin perëndimor. Ajo raportoi se anëtarët e tjerë të familjes arritën të shpëtojnë.

Deutsche Welle raportoi se vetë gazetari, identiteti i të cilit nuk u zbulua, tashmë është vendosur në Gjermani, ku po punon. Deutsche Welle nuk dha detaje të mëtejshme mbi anëtarët e familjes të vrarë dhe të plagosur apo se ku dhe kur saktësisht në Afganistan ndodhi vrasja.

Drejtori i Deutsche Welle, Peter Limbourg, dënoi ashpër vrasjen duke thënë se, “vrasja e një anëtari të ngushtë të familjes së një prej gazetarëve tanë nga talebanët është jashtëzakonisht tragjike dhe një dëshmi për rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuar që të gjithë punonjësit tanë dhe familjet e tyre në Afganistan”.
Ai shtoi: “Talebanët padyshim po kryejnë kërkime të organizuara për gazetarët në Kabul dhe provinca. Koha po mbaron.”

Limbourg shtoi se shtëpitë e të paktën tre gazetarëve të tjerë të Deutsche Welle u kontrolluan nga talebanët në Afganistan ditët dhe javët e fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb