NGA VJOLLCA BRAHO
Gjithmonë përdorimi i teknologjisë ka sjellë përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Këtë qëllim ka edhe përdorimi i recetës elektronike, dhe pikërisht për të parë nga afër efikasitetin e saj jemi mbledhur këtu sot.
I nisur si një projekt-pilot rreth një vit më parë, prej më shumë se dy muajsh ky sistem i ka dhënë frytet e veta, duke sjellë një ndryshim rrënjësor, jo vetëm në shërbimin ndaj pacientëve, por edhe në kontrollin që i bëhet të gjithë procesit deri në marrjen e ilaçeve në farmaci.
Sipas të dhënave të marra nga sistemi, deri në datën 18 janar janë gjeneruar 42.544 receta elektronike, nga të cilat janë ekzekutuar 38.695, ndërsa janë pajisur me të 14.549 persona. Po sipas këtyre të dhënave, janë 119 mjekë që kanë gjeneruar recetë elektronike, ndërkohë që 74 farmaci i kanë ekzekutuar ato me një vlerë prej 53,005,000 lekësh.
Tashmë, me anë të recetës elektronike, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka një panoramë të qartë dhe të plotë të zinxhirit pacient–mjek që në fillesat e tij, duke na dhënë mundësinë që të rrisim saktësinë në përcaktimin e barnave, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe të kosto-efektivitetit në trajtimin e pacientëve.
Në të njëjtën kohë është bërë e mundur ulja e mundësisë së dhënies së gabuar të barnave për pacientët dhe ndërtimi i një sistemi alert në rastet e përshkrimit jo të saktë të barit, duke u mbështetur tek udhërrëfyesit dhe protokollet përkatëse të miratuara. Po kështu, për çdo pacient këtu në Durrës kemi historikun e plotë për sëmundjen dhe trajtimin e tij, duke lehtësuar mjekun për të gjykuar trajtimin mjekësor në vazhdimësi.
Duke iu referuar jo vetëm rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, me anë të këtij sistemi Fondi ka mundësi të ketë në kohë reale informacion dhe raporte për barnat, recetat, mjekët dhe farmacitë, për qëllime monitorimi dhe rimbursimi. Aplikimi i këtij programi eliminon fenomenin e recetave fiktive në rimbursim si dhe shmang abuzimet me recetat e rimbursuara. Gjithashtu na jep mundësinë që të bashkëveprojmë online me institucionet e tjera, duke shtuar efektivitetin në menaxhimin e riskut si dhe krijon një bazë të dhënash që mund të shërbejë për studime, në fushën e ekonomisë shëndetësore, farmako-ekonomisë, shëndetit publik etj.
Të nderuar pjesëmarrës!
Unë dhe i gjithë stafi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tani përballemi me sfidën e implementimit të këtij projekti në Drejtoritë e tjera Rajonale të Fondit.
Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe brenda këtij viti, të gjithë mjekët dhe farmacistët jo vetëm do të përdorin recetën elektronike, duke eliminuar përfundimisht shkrimin me dorë të saj, por edhe do ta nënshkruajnë në mënyrë elektronike atë. Falë zbatimit të këtij projekti, ne do të kemi një panoramë të plotë dhe të qartë në kohë reale të të gjitha situacioneve mjekësore dhe financiare. Kjo do të na japë mundësinë e ndërhyrjes së menjëhershme jo vetëm për të ruajtur sistemin nga abuzimet, por edhe për t’u krijuar mundësinë qytetarëve të marrin trajtimin e duhur mjekësor. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë të realizojmë një ndër objektivat kryesorë të punës sonë, që është rritja e cilësisë së shërbimit mjekësor dhe farmaceutik për të gjithë qytetarët kudo ku jetojnë.
Faleminderit!
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
