Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se rreth 1500 amerikanë presin ende të evakuohen nga Afganistani, një shifër që sugjeron se kjo pjesë e operacionit ajror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, mund të përfundojë para afatit të vendosur nga Presidentit Joe Biden, 31 gushti. Me mijëra afganë në rrezik ndërkohë po hasin vështirësi të hyjnë në aeroportin e Kabulit.

Zoti Blinken tha se Departamenti i Shtetit vlerëson se që prej fillimit të operacioneve të evakuimit më 14 gusht, ishin rreth 6,000 amerikanë që donin të largoheshin nga Afganistani dhe se deri më tani rreth 4.500 prej tyre janë evakuuar. Shifra prej 6,000 është vlerësimi i parë publik nga Departamenti i Shtetit lidhur me numrin e amerikanëve që po kërkonin të largoheshin nga vendi pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit.

Disa kuptohet që janë shumë të frikësuar“, tha zoti Blinken në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit.

Rreth 500 amerikanë janë kontaktuar me udhëzime se kur dhe si të shkojnë në aeroportin kaotik të Kabulit.

Krahas tyre 1,000 persona ose ndoshta më pak janë duke u kontaktuar për të përcaktuar nëse duan të largohen. Zoti Blinken tha se disa prej tyre mund të jenë larguar tashmë nga vendi, disa mund të duan të qëndrojnë dhe disa mund të mos jenë në fakt shtetas amerikanë.

Nga 1000 persona, numri i atyre që “kërkojnë ndihmë në mënyrë aktive” për të lënë Afganistanin “është shumë më i ulët e ka të ngjarë të jetë dukshëm më i ulët”, tha zoti Blinken.

Zoti Blinken shtoi gjithashtu se nuk kishte asnjë afat lidhur me përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që duan të largohen nga Afganistani, qofshin ata amerikanë apo edhe të tjerë, dhe se këto përpjekje do të vazhdojë “për aq kohë sa të duhet”, siç tha ai.

Sipas sekretarit amerikan të shtetit 45 deri në 46 për qind e rreth 82,000 njerëzve që janë evakuuar deri tani, kanë qenë gra e fëmijë.

Vendet perëndimore po përshpejtojnë përpjekjet për evakuim nga Afganistani ndërsa ka mbetur më pak se një javë nga përfundimi i afatit për largimin e të gjitha trupave të huaja. Zyrtarët perëndimore kanë pranuar se shumë afganë që i kanë ndihmuar ata gjatë luftës 20 vjeçare atje, do të lihen nën sundimin e talebanëve, pa e ditur se çmund të ndodhë me ta.

Megjithëse fluturimet do të zgjasin deri të martën (31 gusht), në dy ditët e fundit ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se do të zhvendosë vëmendjen e saj nga ndihma për të evakuuar civilë, tek evakuimi i trupave të veta.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb