GREQI

Vaksinimi i adoleshentëve mosha 12-17 vjeç do të lejohet të kryhet dhe në klinikat private të pediatrëve. Rreth 3500 pediatër me klinika apo zyra private në të gjithë Greqinë pritet të aktivizohen në fushatën e vaksinimit kundër covid-19 për moshat 12-17, përderisa në këto klinika kryhen 75% të programit rutinë të vaksinimit për fëmijë.

Për më tepër, qeveria greke synon të shfrytëzojë marrëdhënien e besueshmërisë që gëzojnë prindërit me pediatrin, për të bindur sa më shumë të vaksinojnë fëmijët thuajse 1 javë para çeljes së vitit të ri shkollor. Ndërkohë, të dhëna të reja zbulohen nga çështja e të ashtuqujturës “fabrika e certifikatave false të vaksinimit”.

Një infermiere e arrestuar në Karditsa ka pajisur me certifikata false vaksinimi me qindra banorë të zonave të ndryshme, si dhe mjaft turistë vendas e të huaj me vërtetime negative të testit rapid të detyrueshëm për udhëtime.

Çështja erdhi në sipërfaqe kur mjekët dyshuan për certifikatën që paraqiti pas 1 shtatorit dhe i kryen test antitrupash që doli negativ. Infermierja sot u paraqit në prokurorinë e zonës. Ndërkohë, tre raste të reja të dhënies me pagesë të çertifikatave false të vaksinimit u zbuluan sot në qytetin verior Kozani, ndërsa akuza të tilla ka thuajse çdo ditë në Greqi. Kosto e një certifikatë të falsifikuar është nga 200 deri në 500 euro, ndërsa konsiderohet si kundërpërgjigje e refuzuesve të vaksinës, pas vendimeve të qeverisë greke për vaksinim të detyrueshëm në profesione të caktuara si dhe masave ndëshkuese pas 13 shtatorit për të gjithë të pavaksinuarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb