Nga: BRIKENA META*
PERMET – Vetëm tre ditë burg ka kryer mjeku nga Përmeti, Faik Pashollari, i dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, pas humbjes së jetës së 7-vjeçares Era Beollari gjatë dhënies së ndihmës së parë, ngjarje e ndodhur në 13.08.2012 në spitalin e Përmetit. Denoncimi ka ardhur nga Hekuran Beollari, babai i 7-vjeçares Era Beollari.

Sipas ngjarjeve të bëra të ditura në gusht të 2012-ës, mjeku pediatër e ka mjekuar me serum, ndërkohë që e mitura ka qenë me të vjella të vazhdueshme.

Ajo ka ndërruar jetë ndërsa ishte nisur drejt spitalit të Tiranës, vetëm 10 minuta larg qytetit të Përmetit. Pas zvarritjes në dyert e gjykatave dhe dënimit të ulët dhënë nga gjykatat, mjeku Pashollari u shpall person në kërkim, deri në 18 janar 2016, datë në të cilën është vetëdorëzuar në polici, për të përfituar më pas nga amnistia.

Pas humbjes së jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare familjarët e vogëlushes Beollari kanë bërë publik rastin, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e mjekut 66-vjeçar Faik Pashollari.

Mjeku Pashollari është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet, me vendimin nr. 23 , datë 10.04.2014 e cila e ka dënuar me 1 (një) vit burg për veprën penale ‘Mjekim i pakujdesshëm’, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendim nr. 163/574 , datë 17.07.2014.

I shpallur në kërkim prej 12 dhjetorit 2014, mjeku Faik Pashollari është mundur të vihet në pranga nga uniformat blu, pas vetëdorëzimit në polici, vetëm një vit më vonë, kohë gjatë së cilës ai ka qenë në arrati dhe person i shpallur në kërkim.

Ndërkohë që familjarët e 7-vjeçares kanë kërkuar rritjen e masës së dënimit, duket se mjeku i akuzuar si shkaktari i humbjes së jetës së vajzës së familjes Beollari ka kryer vetëm 3 ditë heqje lirie në burgun e Bënçës për të rifituar më pas lirinë, ndërsa familjarët apelojnë për drejtësinë e munguar.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: