Pasditen e të shtunës, në Divjakë, u shënua një ngjarje tepër e rëndë. Hekuran Rrasa, vrau me armë gjahu gruan e tij Thëllënxën, e më pas, i dha fund edhe jetës së tij. Kjo çështje u trajtua këtë të hënë në emisionin “Zemër të Hapur”, të gazetares Evis Ahmeti. I ftuar përmes një lidhjeje direkte, ishte vëllai i Hekuranit, Brahimi.

Ai tregoi se si ndodhi e gjithë ngjarja.

Sipas Brahimit, ai ishte duke qëndruar me një mik në shtëpi kur dëgjoi të shtëna. Menjëherë më pas thërriti të nipin, Leonardin, që shkoi në shtëpi dhe pa nga afër të gjithë ngjarjen e rëndë.

Ndër të tjera, Brahimi tregoi se i vëllai, Hekurani, njihej në fshat si person i sjellshëm dhe i qetë dhe se asnjëherë, nuk e kishin menduar që gjendja do të agravonte deri në këtë situatë.

“Unë kisha një mik në kohën e tragjedisë dhe dëgjuam të shtëna. Më pas marr vëllanë e madh dhe i them e ke numrin e Nardit, sepse dëgjova 2 të shtëna. Unë mora Nardin dhe më pas tha që obbo ç’ka bërë. Lajmëruam policinë, ato ishin të 2 brenda në një gjendje të rëndë. Ka bërë ç’të them. Mirë veten, por të bijën e krushkut pse ta vriste. Nuk e dimë për çfarë ka agravuar ngjarja në këtë mënyrë. Thëllënza ishte te babai. Vëllai nuk po dilte nga shtëpia, por s’ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. Punonte në Greqi, në mënyrë private. Mesa kam vënë re unë s’ka qenë i dhunshëm. Ishte njeri shumë i mirë dhe njerëzit që vinin dje thoshin si ka mundësi që ta bënte Hekurani këtë. Këto 3-4 ditë nuk e di se si ishte”, tha vëllai i Hekuranit.

Ndërkaq, vëllai i autorit të krimit tregoi se mes çiftit, ka pasur dhe një konflikt para 10 viteve, kur kunata piu helm dhe rrezikoi së tepërmi jetën. Por gjatë kësaj periudhe, ai nuk kishte dëgjuar për zënka të ashpra mes tyre.

“E dija që ka qenë i mbyllur, nuk dilte. Mua s’më pat thënë që kishe ndonjë hall. Ata në këto vite kanë pasur probleme një herë para 10 viteve. Më marrin telefon se kishte pirë Thëllënza helm, e dërguam në spitalin e Lushnjës dhe e shpëtuam. Nuk e di ç’ka bërë policia atë kohë, gjërat u sheshuam, por sherr të jashtëzakonshëm s’kishim dëgjuar. Të gjithë bëjmë fjalë shtëpie, të gjithë grindemi. Është e tmerrshme kjo që bëri vëllai”, u shpreh Brahimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb