Teuta ka lënë pas humbjen e fundit me Tiranën dhe është gati për sfidën e radhës, atë në transfertë ndaj Egnatias. Trajneri Edi Martini thotë se kanë nxjerrë mësime nga përballja e fundit dhe premton se do të jetë tjetër ndeshje kundër rrogozhinasve, duke korrigjuar në radhë ta parë gabimet që u bënë ndaj bardhebluve:

“Egnatia është një ekip shumë i mirë, me lojtarë me eksperiencë, që qarkullojnë mirë topin dhe lënë pak hapësira. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e luftuar.

Megjithatë edhe ndaj Egnatias luajmë për të marrë tre pikët, pasi ky është objektivi i vetëm që kemi ndaj çdo kundërshtari. Gjatë javës kemi punuar më shumë në aspektin psikologjik, pasi jemi munduar të bisedojmë me skuadrën, në mënyrë që të mos përsëritim gabimet që bëmë ndaj Tiranës.”

I pranishëm në konferencën për shtyp me trajnerin Edi Martini, ishte dhe Sebino Plaku. Sulmuesi jo pak herë i ka zgjidhur hallet Teutës duke bërë heroin, por vetë 36-vjeçari pranon se futbollit është shumë dinamik dhe harrohesh, pasi nisin gara të reja dhe duhet të jesh gati:

“Nga eksperienca ime mund të them se futbolli është shumë dinamik dhe gjërat harrohen shpejt. Unë kam luajtur në shumë skuadra dhe jo se jam harruar, por natyrisht që nuk kam më vëmendje. Edhe në futboll harrohet shpejt çdo sukses, pasi fillon një garë e re dhe duhet të jesh sërish aty për të fituar.”

Ndeshja Egnatia-Teuta do të luhet të shtunën në orën 13:45 në stadiumin e ri të Rrogozhinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb