Dinamo do të ndeshet sërish me Tiranën, kësaj here në kampionat, duke mbyllur sfidën e dytë në pak ditë për dy skuadra e kryeqytetit. Blutë vijnë me moral të lartë në këtë derbi, pas fitores në mesjavë në kupë, por të bindur se do të jetë më e vështirë. Në prag të sfidës të së shtunës, trajneri Bledi Shkëmbi në konferencën për shtyp, u shpreh se ekipi ka filluar të mbajë ritmin e vazhdimësisë:

“Fitorja në Kupë na jep qetësi dhe moral, por unë dhe skuadra jemi të bindur që ndeshja e Kupës ndryshon nga ajo e kampionatit. Për fat të keq, lojtarët dëmtohen në ndeshje, por edhe në stërvitje. Jam i bindur që lojtarët që luajnë në fushë do të bëjnë shumë mirë. Nuk mendoj se ka ndryshuar diçka në skuadër, por është ajo që kemi thënë se do të rritemi nga ndeshja në ndeshje.”

Shkëmbi thotë se derbi nuk ka favoritë dhe i është përgjigjur edhe fjalëve që qarkullojnë së fundmi se Tirana e nënvlerësoi Dinamon në ndeshjen e mesjavës.

“Lexoj që Tirana e kishte nënvlerësuar ndeshjen, por ata nuk po luanin me ekipin e dytë në fushë, por me Dinamon. Ishalla edhe nesër Tirana na shikon si të vegjël, por duke u rikthyer të ndeshja e dimë që Tirana do të kërkojë të reagojë pas humbjes. Ne do të bëjmë akoma më mirë dhe do të jemi edhe më të fortë”:

Tirana kësaj here është pritëse dhe ndeshja me Dinamon do të luhet të shtunën në orën 19:45, në “Air Albania”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb