Robert Lewandowski është i fokusuar vetëm tek angazhimet aktuale me Poloninë e tij, fillimisht me Andorrën më 12 nëntor në transfertë dhe më 15 nëntor kundër Hunarisë në Varshavë.
Në daljen e fundit publike të tij ai deklaroi se nuk ka asnjë klub dhe aq më pak “Topin e Artë” në mendimet e tij. Krejt në të kundërtën, sulmuesi polak kërkon të fitojë dy kualifikueset e fundit në grup dhe të zërë vendin e dytë, që lë hapur dritaren e kualifikimit në “Katar 2022” përmes “play off”-it.
Pikërisht “shpërqendrimi” në lidhje me trofeun e lakmuar, që do të jepet në fund të nëntorit, duket se është lënë mënjanë vendosmërisht nga bomberi i Bayern Munich:
“Sinqerisht, në këtë moment e kam lënë mënjanë Topin e Artë. Që kur nisa grumbullimin me kombëtaren ndalova së menduari për të. Nuk ua vë veshin të gjitha spekulimeve që dalin se cili mund ta ketë fituar dhe cili jo. E marr gjithçka me qetësi. Mendoj se do të filloj ta mendoj pas këtyre angazhimeve me kombëtaren” – u shpreh Lewandowski.
Polonia është shumë pranë arritjes së play-off, mjafton fitorja me Andorrën dhe që Shqipëria mos fitojë në Angli.
(BalkanWeb)