TURQI – Një 16-vjeçar është arrestuar nga policia turke, pasi akuzohet se ka fyer presidentin Rexhep Taip Erdogan, gjatë një fjalimi të tij në krahinën qendrore të Konias. Nxënësi me inicialet M.E.A, mori pjesë në një takim të organizuar më 23 dhjetor në nder të togerit Mustafa Fehmi Kubilay, i vrarë në vitin 1930 nga një grup pro-sheriatit në qytetin Menemen, në brigjet e Egjeut. 16-vjeçarit me këtë rast iu dha mundësia të mbante një fjalim për mediat në emër të një grupi që ai përfaqësonte dhe që menaxhonin një forum në “Facebook”.
Në fjalën e tij ai tha se grupi ku bënte pjesë nuk e njeh Erdoganin si president të vendit, por si udhëheqës të korrupsionit, mitmarrjes, vjedhjes dhe si pronar të një pallati pa leje pallati presidencial i ndërtuar së fundi.
Policia e ndaloi nxënësin më 24 dhjetor në shkollën e tij dhe pasi është marrë në pyetje nga prokurori publik, ka dhënë urdhër që ai të arrestohet për fyerje ndaj presidentit të vendit Erdogan. 16-vjeçari rrezikon deri në katër vite burg, nëse shpallet fajtor nga gjykata sipas nenit 299 të Kodit Penal turk. Avokati i tij mbrojtës tha se kjo është hera e parë në historinë e Republikës Turke që një 16-vjeçar arrestohet për fyerje ndaj presidentit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
