Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik në Bullgari, ku nga përplasja e autobusit kanë ndërruar jetë të paktën 46 persona, shumica prej të cilëve shtetas nga Maqedonia e Veriut. Mediat maqedonase, shkruajnë se në mesin e viktimave janë edhe 12 prej të mitur, dy prej të cilëve binjakë. Kjo është konfirmuar nga drejtori i Policisë Kombëtare të Bullgarisë, Staniir Stanev.

Raportohet se autobusi maqedonas ka hyrë në Bullgari mbrëmë në orën 21:00 nga vendkalimi kufitar “Kapitan Andreevo”. Ai ka udhëtuar përmes autostradës “Trakia”, e më pas përmes autostradës “Struma” deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut në drejtim të pikës kufitare Gjueshevë, nga ku është dashur të largohet nga Bullgaria.

Dy gra dhe dy burra mbijetuan dhe u dërguan në spitalin Pirogov në Sofje.

Deri më tani hetuesit dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik. E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit. Rasti po hetohet nga Shërbimi Hetimor Kombëtar për shkak të numrit të madh të viktimave. Është konstatuar identiteti i të gjithë pasagjerëve që kanë kaluar kontrollin kufitar me hyrjen në Bullgari, e në këtë mënyrë është e lehtë identifikimi i viktimave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb