LAÇ
55-vjeçari Rakip Rrolli u ekzekutua mëngjesin e sotëm në periferi të Laçit teksa po lëvizje me mjetin e tij, një “Audi Q7” me targa AA 001 PB. Në pamjet e siguruara nga gazetari Elidon Ndreka për “BalkanWeb” shihet se mjeti është qëlluar nga autorët në pjesën e djathtë dhe të dy xhamat janë bërë copë nga plumbat.
Shenja plumbash ka dhe në xhamin e përparmë të mjetit. Ndërkohë që anësh rrugës ndodhet dhe një automjet tip “Benz” me shenja të qarta aksidentimi në pjesën e përparme dhe të pasme. Me sa duket pasi është qëlluar, makina ku udhëtonte 55-vjeçarit ka përplasur mjetin tjetër që ka qenë në rrugë. Policia ka kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, teksa iu është vënë pas autorëve. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për konflikte të mëparshme, gjithsesi policia po heton në të gjitha pistat.
