Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë, pa e zbardhur çështjen e personave të zhduku me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kurti tha në Ditën e të drejtave të njeriut se kjo ditë është e veçantë që në 30 nene e kodifikon dinjitetin e njeriut.

Ai në këtë ditë të rëndësishme ka folur për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Nga 10 qershori i vitit 1999 diku rreth një muaj edhe vet kam qenë i zhdukur, jo pse isha i zhdukur për vete por familja nuk e dinte se ku jam deri atëherë kur na vizitoi Kryqi i kuq ndërkombëtarë në korrik të 1999…”, tha Kurti.

Ai tha se e kanë bërë të qartë se çështja e të pagjeturve është prioritet.

“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm dhe në secilin takim me akterë relevantë ndërkombëtar, e kam përmendur çështjen e personave të zhdukurve me dhunë, si çështje edhe me prioritet edhe urgjencë. Po e ri-them që marrëveshje me Serbinë nuk ka pa e u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, shtoi Kurti.

Ai tha se janë në proces të diskutimit për hapjen e disa vend-varrezave. Kurti po ashtu bëri të ditur se kanë kërkuar amandamentimin e Ligjit për personat e zhdukur.

Kryeministri i vendit tha se kanë kërkuar që të ngrihet një qendër memoriale në Prishtinë për krimet e luftës.

“Ne realisht kemi shkuar një hap përtej kësaj dhe veçse kemi përfunduar fazën e parë të punës për themelimin e Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në nëntor e kemi nisur draftimin e Projektligjit dhe besojmë brenda gjashtë muajve të parë të 2022 do të kemi një mekanizëm funksional që do të dokumentojë dhe adresojë krimet e kryera gjatë luftës”, tha Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb