Këngëtarja e mirënjohur Liljana Kondakçi ishte e ftuara speciale për këtë javë në “Dola te Ola”, ku ndër të tjera foli edhe për miqësinë që ajo ka patur gjatë rrugëtimit të saj në muzikë.
Koncertet e Liljana Kondakçi kanë qenë padyshim të shumta e të tillë kanë qenë edhe kolegët për këngëtaren, e cila ka patur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë. Ajo veçoi në studio Ema Qazimin, Alida Hiskun, Luan Zhegun dhe Kozma Dushin, me të cilën ruan ende një miqësi të ngushtë dhe janë gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin.
Alida Hisku jeton në Gjermani dhe prej andej i dërgoi një videomesazh Liljanës, e cila u emocionua dhe përlot nga fjalët e saj. Alida tha se me Liljanën nuk e ka lidhur vetëm skena, por edhe shoqëria e tyre e ngushtë prej 50 vjetësh. “Ka qenë një motër për mua”, tha Alida, teksa tregoi se kur ajo u përjashtua nga muzika, Liljana e ka mbështetur dhe i ka qëndruar shumë afër.
Ndërkohë këngëtarja mori në studio edhe një videomesazh surprizë nga Luan Zhegu, me të cilin ka punuar për një kohë të gjatë. “Kemi qenë në një vend pune dhe nuk ke si të mos kesh gjëra të bukura, koncerte pafund brenda atdheut dhe jashtë, suksese, duartrokitje dhe emocione të jashtëzakonshme”, tha ai, teksa e quajti veten borxhli ndaj këngëtares për të gjitha krijimet e tij të cilat janë interpretuar nga Liljana.
“I uroj me gjithë shpirt të vazhdojë me këtë pasion dhe patos që e ka karakterizuar gjithë jetën”, theksoi Luan Zhegu.
Ndërkohë Liljana Kondakçi zbuloi në “Dola te Ola” se së shpejti ajo dhe Luan Zhegu do të vijnë me një duet të ri së bashku, ndaj ne na mbetet të presim hitin e tyre të radhës..
Atmosfera në studio u bë vërtet festive kur Liljana Kondakçi këndoi me vëllezërit korçarë këngën “Kur xhirohej një film”, dhe Ola së bashku me Stefin vallëzuan, duke na dhuruar të gjithëve një moment shumë të bukur televiziv dhe na e mbushën mbrëmjen e kësaj të diele plot pozitivitet.
(BalkanWeb)
