Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Në vendin tonë kanë nisur të operojë portale online, që u kërkojnë qytetarëve të investojnë paratë e tyre në tituj dhe produkte me risk të lartë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u bën thirrje qytetarë të tregohen të kujdesshëm me investimet e tyre, pasi risku në këto portale është shumë i lartë.

AMF pohon se ka licencuar vetëm dy kompani që mund të mbledhin kursimet e shqiptarëve dhe t’i investojnë në tregje me fitim jashtë vendit. Ndërkohë që është konstatuar se në treg po operojnë edhe katër portale, totalisht të pasigurta, të cilat AMF i ka denoncuar në polici, në sektorin kundër krimit ekonomik. AMF shpjegon se si funksion ky treg kompanitë dhe licencuara që janë në mbikëqyrje si dhe riskun e lartë që paraqesin portalet online.

Investimet
Investimi nëpërmjet platformave të tregtimit online ka krijuar mundësinë që investitorë të ndryshëm të investojnë në produkte të bursave ndërkombëtare. Përgjithësisht, platformat e tregtimit online lejojnë tregtimin në tituj, (aksione, obligacione, derivative), tregtim në FOREX, apo tregtim në tregun e mallrave (naftë, metale të çmuara, etj.).

Shpesh produktet financiare të bursave paraqiten si kontrata për diferencë (CFD). Aktualisht, platformat e tregtimit ku investojnë investitorët shqiptarë janë në zotërim të shoqërive të brokerit, të licencuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Agjencitë
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në zbatim të Ligjit nr. 9879 datë 21.02.2008 dhe Vendimit nr. 55, datë 30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, ka njohur veprimtarinë e agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë, që konsiston në: promovimin e veprimtarisë së brokerit, marrjen dhe transmetimin e urdhrave apo udhëzimeve nga klientët/klientët e mundshëm, si dhe ofrimin e këshillave për klientët ose klientët e mundshëm në lidhje me titujt dhe instrumentet financiare.

Sipas këtij vendimi, agjenti vepron në emër dhe për llogari vetëm të një brokeri të licencuar të letrave me vlerë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo të një brokeri të licencuar nga Autoritetet e tjera Mbikëqyrëse, anëtare të IOSCO-s, nënshkruese të MMOU.

Kontrolli nga AMF
Në veprimtarinë mbikëqyrëse/monitoruese, Autoriteti kujdeset që kryerja e veprimtarisë nga agjenti të jetë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe rregullat e brendshme të shoqërisë, të depozituara në momentin e miratimit të veprimtarisë.

Në procesin monitorues i kushtohet vëmendje transparencës ndaj klientit, që fillon me mënyrën e identifikimit të tij dhe duke vijuar me mënyrën e reklamimit të produkteve që ofron platforma. Mbikëqyrja e AMF realizohet si nëpërmjet marrjes së informacionit nga subjekti i miratuar, sipas përcaktimeve të vendimit nr. 55, ashtu edhe nëpërmjet inspektimit në vend.

Risqet e tregut
Autoriteti e ka vënë theksin te ndërgjegjësimi i publikut për rreziqet që mbart investimi në platformat online. Autoriteti ka kërkuar që agjenti i brokerit të licencuar të letrave me vlerë në njoftimet publike apo reklamat e publikuara në mjetet e komunikimit në masë dhe në mjetet e komunikimit elektronik duhet të deklarojë dukshëm rrezikun që mbart tregtimi në platformën online.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb