TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se Partia Demokratike është pasuri e anëtarësisë, jo pronë e një individi. Ai tha se PD-ja nuk do i dorëzohet tekave të një personi të vetëm, kushdo qoftë ai, por do jetë e gjithë demokratëve.

Basha theksoi se do ta sanksionojmë në statut përmes Aleancës Qytetare për Demokracinë, platformën qytetare që u pengua nga 9 shtatorit, për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë dhe në bashkëpunim me shoqërinë.

“Unë dua t’ju flas sot për Partinë Demokratike si pasuri e antarësisë dhe jo pronë e një individi me mendësinë pas meje kiameti.
Jo, kiameti nuk do të vijë. Partia Demokratike nuk do t’i dorëzohet fatit të një një personi. Partia Demokratike do të jetë e gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu apo më e reja mes nesh.
Për këtë kam qëndruar i prerë në këtë periudhë, pa u zbrapsur edhe përballë individit me të cilin kam ndarë shumë vite bashkëpunimi. Sepse nuk bëhej fjalë për fatin e një njeriu, POR për fatin e Partisë Demokratike, e për pasojë të të ardhmes së Shqipërisë.
Luftova, dhe po luftojmë të gjthë bashkë, për normalitetin, që kjo parti të jetë një forcë politike që ngrihet mbi fuqinë e individëve që e përbëjnë, jo mbi fuqinë që individi që sundon një parti, që merr nga të tjerët, për të larësuar kultin e tij, deri në atë pikë sa të bëhet mbytëse për të ardhmen e saj.
Këtë normalitet kërkoj, dua të jem kryetari që punoj për t’i dhënë normalitetin Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.
Dua të jem politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit.
Dhe për të sjellë këtë normalitet, duhet ta paqtojmë Partinë Demokratike me shoqërinë, duke nisur nga shtresat që janë themelet e shtëpisë tonë, të përndjekurit dhe pronarët…”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se duke reflektuar me aktet dhe komunikimin tonë qytetarinë që kërkojmë t’i japim politikës, duke këmbëngulur në një model që është vendimtar në termat afatgjata për çlirimin e shoqërisë nga tensionet që i ngarkon asaj politika.

Basha tha se kjo gjendje e Shqipërisë, që është e atrofizuar nga ndalimi i ndryshimit, nga ngërçi politik dhe ekonomik që po e varfëron dhe zbrazë nga njerëzit më të mirë dhe krijues, kjo krizë e gjithanshme është një mundësi për të hapur një kapitull të ri, sepse përsëri, si në 1991-shin, ndodhemi përballë një regjimi, të ndryshëm në formë, por të ngjashëm në qasjen përqendruese.

“Dhe antidota e këtij regjimi janë vlerat tona. Është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në genet e forcës tonë politike. Përmes tyre kemi shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve në të shkuarën, dhe janë po këto vlera me të cilat ne do të arrijmë ndryshimet më thelbësore për familjet shqiptare në të ardhmen.
Vizioni ynë është demokracia përfaqësuese dhe pjesëmarrja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e spacialistëve, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e alternativës me të mirë, e zgjidhjeve më të mira.
Platforma qytetare për demokracinë, që u pengua nga zhvillimet e pas 9 shtatorit, do të marrë javët dhe muajt në vijim dimensionin e saj të plotë, dhe sot do ta sanksionojmë në statut përmes Aleancë Qytetare për Demokracinë, për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë dhe në bashkëpunim me shoqërinë, për të çliruar ekonominë dhe për çuar përpara ndryshimet kushtetuese, duke nisur konsultimet me grupet e interesit, pasi në asnjë moment nuk mund të përsërisim gabimet e vitit 2008”, deklaroi Basha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb