TIRANË

Kreu i FRPD-së, deputeti i PD Belind Këlliçi tha se Partia Demokratike i është rikthyer sot ADN-së së saj. Nga protesta në Bulevard, Këlliçi tha se nuk mundet të ketë integrim europian të Shqipërisë me Edi Ramën kryeministër.

Ai i bëri thirrje Edi Ramës se nuk mund tua shesë shqiptarëve për mik të Shqipërisë ministrin e Millosheviçit, teksa theksoi se “do të heqim me rrënjë e themel nga qeveria”.

“Jam thellësisht i lumtur sot që PD-ja i është rikthyer ADN-së së saj, sheshit, protestës, betejës për Shqipërinë sovrane, por mbi të gjitha për Shqipërinë drejt integrimit europian. Rama ik! Nuk mundet të ketë integrim europian të Shqipërisë me Edi Ramën kryeministër. Në kohë rekord, brenda 24 orësh vetëm me një njoftim në rrjetet sociale, ky shesh është mbushur me qindra shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Edi Ramës i bëj një thirrje, Vuçiçin mund ta kesh mikun tënd të zemrës, por në asnjë mënyrë nuk mund tua shesësh shqiptarëve për mik të Shqipërisë ministrin e Millosheviçit. Edi Rama mos u shqetëso se nuk e ka kush me kërpudhën, ne e kemi me rrënjën e korrupsionit, ne do të heqim me rrënjë e themel nga qeveria. Hiq dorë nga largimi masiv që po i bën rinisë shqiptare. Ke larguar jo vetëm 500 mijë shqiptarë, por 110 mijë të rinj. Ke futur Shqipërinë për herë të parë në statistikat e Interpolit për emigrimin e adoleshentëve. Edi Rama është mes oligarkëve dhe do jetë duke darkuar, me pjata të shtrenjta me mikun e tij Vuçiç”, tha Këlliçi.

Ai theksoi se “ne jemi pro procesit të Berlinit dhe kundër Open Balkan që i hap vend jo vetëm influencës serbe por edhe influencës ruse në Ballkan. Ne jemi sot këtu se jemi properëndimorë, proamerikën, pro integrimit europian.”

Këlliçi foli dhe për aferën e inceneratorëve, teksa theksoi se pronari i tyre është Edi Rama.
“Dy fjalë për kryehajdutin tek bashkia e Tiranës. Gjakun e Ardit Gjoklajt kemi 6 vite që themi nuk do ta falim. Afera e inceneratorëve e ka gjenezën tek humbja e jetës së Ardit Gjoklajt. Dua të falënderoj ata qindra mijëra të rinj të Forumit Rinor që kanë protestuar për të. Ne nuk do ta harrojmë këtë kauzë.
Dua t’i them Edi Ramës se pas inceneratorëve mund të jetë në kërkim Klodian Zoto apo të tjerë, por pronari i inceneratorëve ka vetëm një emër, Edi Rama. Jam krenar që jam sot mes jush, jam krenar që PD po ringrihet. Jam krenar që PD është e gjallë dhe jam i bindur se do ta kthejmë PD-në aty ku i takon, në krye të qeverisë”, deklaroi Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb