TIRANË

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani është shfaqur si aktivist në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër vizitës së presidentit serb në Shqipëri Aleksandar Vuçiç në kuadër në nismës “Open Balkan”. Manjani deklaroi se sonte në Shqipëri kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me të zotin e shtëpisë po hanë trutë e peshkut për të na hedhur trutë e gomarit.

Ai përshëndeti demokratët për një proces siç e quajti ai të jashtëzakonshëm, demokratik.

“S’kam ardhur për qokë, as për patriotizëm, sepse ne nuk jemi patriotë, jemi shqiptarë dhe kjo është shumë më e rëndësishme se sa t’i shesim mend njërit-tjetrit. Sonte në Shqipëri na kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me të zotin e shtëpisë po hanë trutë e peshkut për të na hedhur trutë e gomarit. Kjo është histori gomerësh dhe gomerët dihen ku e kanë vendin.
Meqë mu dha rasti, miqtë e mi më lejoni të ndaj një kënaqësi, përulem para jush me një respekt të thellë për një proces të jashtëzakonshëm, demokratik, ju i keni dhënë Shqipërisë një model, u vetëorganizaur, u vetëmblodhët, treguat se anëtarët janë më të fortë se kryetarët, aq më tepër se kryetarët gjumashë.
Demokracia në Shqipëri sot ka dy armiq, janë faqezinjtë dhe kapuçzinjtë. Me kapuçzinjtë kam një ftesë, shkoni në shtëpi o njerëz se ju presin kalamajtë. Shkoni jepuni fëmijëve tuaj nder e dinjitet, mos i bëni me turp sepse nuk e ndalni dot vullnetin e popullit shqiptar”, tha Manjani.

Ai kërkoi më tej nga Vuçiç të njohë Kosovën, pasi ndryshe nuk njeh as Shqipërinë.
“Kam një fjalë të thjeshtë për mysafirin: Në qoftë se nuk njohin Kosovën, nuk njohin as Shqipërinë. Në qoftë se do të jesh mik me shqiptarët, njih Kosovën, ky është kushti. Në qoftë se nuk njeh Kosovën, ne të respektojmë si mysafir, të bëftë mirë peshku dhe rrugë të mbarë. Ne nuk jemi mbledhur për t’ia përmend bukën mysafirit, por e kemi me të zotin e shtëpisë. A mund të na shpjegojë dikush, çfarë është Ballkani i Hapur, çfarë Ballkani u hapka, ku u mbyllka dera e Shqipërisë. Ne kemi nevojë të hapet dera e Shqipërisë dhe jo për emigrantë, për njerëz me dinjitet. Nuk mund të ecim më as me tru peshku, as me tru gomari. Ne kemi detyrë të jemi në krahë të Kosovës. Nuk mund të ulemi në asnjë tryezë në krahë me serbët dhe përballë me Kosovën. Ne duhet të jemi në çdo tryezë në krah me Kosovën në krah. Nuk mund të shkojmë në takime me armikun e vëllait.

Miqtë e mi demokratë dhe jo vetëm, unë nuk jam patriot jam shqiptar, si të gjithë ju, jam kosovar gjithashtu. Ne jemi një. Ky bulevard nuk ka më nevojë për doktorin e zemrës, ka nevojë për doktorin e shpirtit, të lirisë, të prosperitetit të këtij vendi”, deklaroi Manjani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb