Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar ditën e enjte. Në një letër drejtuar anëtarëve, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi bën me dije se mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet ditën e enjte, datë 23 Dhjetor 2021, ora 17:30.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar
Në vijim të njoftimit të bërë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 12 Dhjetor 2021, pas vendimit të Kryesisë së Partisë, ju njoftojmë se mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet ditën e enjte, datë 23 Dhjetor 2021, ora 17:30 në sallën e mbledhjeve kati i 2, sipas rendit të ditës të njoftuar në mbledhjen pararendëse.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,
Sekretari i Përgjithshëm
Gazment Bardhi
Situata ditën e sotme në selinë blu nisi e qetë për të kulmuar në orën 14:00 kur Ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij hynë në PD ku zhvilloi mbledhjen e radhës të Komisionit të Rithemelimit. Teksa nxorën jashtë mediat, sa të bëhej gati salla për konferencën, ish kryeministri Berisha zgjodhi të flasë në një tjetër kënd të sallës, duke shmangur sloganin ‘Zgjedhim të ardhmen’.
Por ndërsa dera e sallës ishte e mbyllur, një prej mbështetësve të ish kryeministrit, e ka hapur atë duke e shkelmuar.
Ky veprim u komentua edhe nga kryedemokrati Basha në një konferencë fill pas largimit të Berishës ku tha PD ka gati çdo skenar për çdo situatë.
(BalkanWeb)
