Një dorë e lodhur dhe e nxirë nga hematoma që ngrihet për të na përshëndetur është e vetmja forcë që i ka mbetur në trup Lefteririe Ibrahimit. E moshuara me 82 vite në kurriz thotë se ndihet shumë e sëmurë pas daljes nga spitali neurologjik ku qëndroi vetëm 4 ditë, pasi spitali i bëri dalje.
I vetmi që i rri tek koka 82-vjeçares teksa lëngon në shtrat është djali i vetëm, Gezimi, i cili nuk mund të bëjë më shumë për nënën e tij se sa ti lagë buzët e thara, ta ngarkojë në kurriz sa herë duhet ta çojë në banjo apo t’i fërkojë duart a këmbët e kyçura nga dhimbjet. Djali pretendon se nëna është nxjerrë pa u shëruar mirë nga spitali neurologjik në tiranë ku thotë se ishte dërguar me urgjencë pasi krejt pa pritur kishte rënë në tokë pa ndjenja e dyshuar për një goditje në tru.
Në epikrizën e lëshuar nga Spitali Neurologjik në QSUT, shkruhet se pacientja vuan nga meningioma e trurit, që përkthehet në tumor dhe përcaktohet që e moshuar të ndiqet në vijim nga mjeku I familjes.
Ndërkohë nga spitali Nënë Tereza nuk ka një reagim zyrtarë edhe pse është vënë në dijeni për pretendimet që ngre djali i të moshuarës. Ndërkohë gëzimi rrëfen sesi e ka lidhur jetën me nënën pa krijuar dot familjen e tij. Pa punë dhe përkrahje sociale 53-vjeçari dhe e ëma e çojnë jetën përpara me pensionin e të moshuarës, 18 mijë lekë në muaj.
Nënë e birë nuk ka as shtëpi të tyre. Apartamenti në katin e parë të një pallati të vjetër në Sauk përballohet nga bonuesi i bashkisë pasi ndërtesa numër 5 në qytetin studenti ku ishin strehuar prej vitesh u dëmtua pas tërmetit. Tek kryet mban foton e saj me ish krybashkikun e Tiranës Edi Rama, sot kryeministër, të cilit si ajo dhe i biri sot i luten për ndihmë urgjente. Për të gjithë personat që kanë dëshirë të kontribuojnë financiarisht apo çdo ndihmë tjetër të mundshme mund të kontaktojnë familjen Ibrahimi në nr. e telefonit 0684283641, Gëzim Ibrahimi.
Lidhur me kete rast ka reaguar edhe QSUT.
Në një sqarim QSUT mohon të gjitha akuzat dhe se pacientja është shtuar në kohë në spital duke iu dhënë trajtimi i duhur. Në reagim thuhet se informacioni i detajuar për ekzaminimet dhe trajtimin e kryer gjendet në kartelen mjekësore e cila mund të vihet në dispozicion të familjarëve të autorizuar.
Reagimi i QSUT
Lidhur me ankesën e familjarëve të pacientes L.I sqarojmë se pacientja është shtruar në datë 8/12/2021 me Paralizë të anesive të djathta dhe pamundësi për të folur, me devijim të kokës.
Gjatë qëndrimit në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme i është kryer Angio CT ku është evidentuar Meningeome (gjetje rastesore) dhe duke qënë brenda dritares terapeutike i është nënshteuar trombolizës intravenoze. Përfitimi ka qënë maksimal me rikthim total të paralizës dhe çrregullim të të folurit.
Pas trajtimit në Shërbimin Neurovaskular i është kryer skaneri i kokës të rikontrollit ku ka rezultuar se pacientja ka qënë pa lezione ishemike të trurit.
Pacientja ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore në datë 13/12/2021 me mjekim ambulator.
QSUNT hedh poshtë pretendimin e mungesës së trajtimit për pacienten. Informacioni i detajuar për ekzaminimet dhe trajtimin e kryer gjendet në kartelen mjekësore e cila mund të vihet në dispozicion të familjarëve të autorizuar.
Nëse zonja ka serisht probleme shëndetësore që paraqesin nevojshmëri trajtimi spitalor urgjent, QSUNT mbetet në dispozicion për ofrimin e Shërbimit, nëpërmjet Urgjencës Kombëtare 127.
