Po zhvillohet sot mbledhja e parë e përbashkët e organeve të reja të drejtësisë, ku të pranishëm janë edhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.
Në fjalën e saj, Llagami u shpreh se sistemi do ja dalë siç duhet, nëse të gjithë përfaqësuesit e organeve të drejtësisë kuptojnë nevojat dhe mundohen t’i adresojnë, duke u mbështetur te njëri-tjetri.
Ndërkohë, Ibrahimi vuri theksin te problematikat dhe mungesat e mëdha në sistem, që ka shkaktuar procesi i Vettingut, duke u shprehur se duhen përdorur të gjitha mjetet e metodat për të zbutur këtë problematikë.
Llagami: Misioni vazhdon, qëndresa po. Mesazhi im është që gjithçka duket e pamundur, derisa të arrihet. Jam besimplotë që nëse të gjithë këtu kuptojmë nevojat që kemi dhe mundohemi t’i adresojmë, duke u mbështetur te njëri-tjetri, padiskutim që sistemi do ja dalë ashtu siç duhet.
Ibrahimi: Shqetësimet tona jam i bindur që përkojnë plotësisht me ato të shoqërisë. Vettingu është një politikë publike, që gëzon një legjitimitet të plotë, por pasojat e tij janë ato që janë. Sot po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë drejtësisë në dyert e institucioneve të drejtësisë. Detyra jonë është të gjejmë mjetet dhe mënyrat për të adresuar këtë problem, për të zbutur pasojat e Vettingut. KLGJ filloi të diskutonte njërën nga këto instrumente dje me hartën e re gjyqësore, ne kemi më shumë se kaq si instrumente në dorë, ndaj jemi mbledhur sot. Çështja e parë që do diskutojmë është pikërisht problematikat e shkaktuara në sistemin e drejtësisë si rezultat i zbatimit të Vettngut. Sfidat janë evidente. Ajo çka ne do të diskutojmë me përparësi sot janë mjetet, metodat, që kanë në dispozicion dy këshillat për ta zbutur këtë problematikë.
(BalkanWeb)