TIRANE – Gruaja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha ka rrëfyer arsyen pse nuk lejoi që ish kryeministri Sali Berisha, aso kohe mjek, të ishte pjesë e ekipit të mjekëve të Enverit. Sipas Nexhmijes, shkak ishte bërë biografia e Berishës, për të cilin ajo tregon se në të kishte dyshime të lidhjeve me agjenturën serbe.

“Një ditë më thirri në zyrë Hysni Kapoja dhe më jep të lexoj biografinë e tij. Aty kishte hije dyshimi të lidhjeve të tij me agjenturën serbe. Vjehrri, gruaja… Jo, i thashë Hysniut, ky njeri nuk mund të bëjë pjesë në ekipin e mjekëve të Enverit. Dhe kështu ai nuk hyri në ekip.”­ thotë Nexhmija në një rrëfim për gazetën “Dita”.

Gruaja e diktatorit i jep përgjigje edhe pyetjes nëse mes Enverit dhe Saliut ka pasur takim.

“A është takuar Enveri me Saliun ndonjëherë? Po. Kur ishte sëmurë Hysniu dhe Enveri i ka dhënë dorën Saliut si mjeku që u gjend aty. Është e vërtetë ajo që kam treguar se Saliu për ca kohë nuk u jepte dorën njerëzve të njohur, duke thënë se me këtë dorë kam takuar shokun Enver”, – thotë Hoxha për gazetën “Dita”.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb