TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka reaguar pas deklaratës së ministrit Ilir Beqaj për reformimin e Urgjencës. Shehu thotë se Beqaj nuk thotë asgjë konkrete vetëm hedh mjegull. Ai konfirmon mbështetjen për reformimin e thellë të urgjencës, mbështetje që sipas tij është shprehur që në 2014 me ligjin e miratuar.

DEKLARATA E TRITAN SHEHUT
Prononcimi i Z.Beqja për urgjencën nuk thotë asgjë! Ndoqa prononcimin e para pak minutash të Z.Beqja për urgjencën. Në realitet nuk shprehet asgjë konkrete, veçse kërkohet të hidhet mjegull.
Ndryshe nga ajo që thotë Ministri, ne mbështesim domosdoshmërinë e reformimit të thellë të sektorit të Urgjencës, jo vetëm ambulatore, por dhe të asaj spitalore.

Mbështesim krijimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, ngritjen e saj në nivelet reanimatore, medikale e paramedikale, si dhe atashimin e nivelit të pare me qendrat me shtretër. Për këto arsye kemi përkrahur ligjin mbi urgjencën të miratuar me 2014, me gjithë disa objeksione që kemi.

Kemi votuar mbështetjen italiane për Qendrën e Traumës etj, si themelore për shërbimin e urgjencës, por që politika dritë-shkurtër e qeverisjes ja kaloi Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që dëmton të gjithë projektin. E njëjta gjë u realizua edhe me njësinë e helikopterëve sanitarë, me pasoja negative kjo.

Aktualisht po kryhen veprime jo serioze, jo transparente me qendrën e Urgjencës Ambulatore të Tiranës, e cila është një qendër e konsoliduar me specialistë, pozicion e traditë dhe si e tillë duhet të vazhdojë të qëndrojë si përbërëse e projektit të madh, në nivelin mjekësor e paramjekësor të tij.

Tirana ka nevojë jo vetëm për ta ruajtur këtë qendër, por edhe për disa të tjera të tilla, duke u bazuar në dimensionet e problemet e Kryeqytetit.

Ne kërkojmë transparencë e bërjen publike të të gjithë këtij projekti e detajeve të tij. Ne këmbëngulim që shërbimi i kësaj urgjence bazale duhet të jetë përgjegjësi e shtetit, e organizuar dhe e financuar tërësisht nga shteti. Kjo është e vërteta që nuk mund të fshihet me spekulime!

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: