Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përballë sërish sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me akuzat që Prokuroria e Posaçme SPAK, ka ngritur ndaj tij për lidhjet e dyshuara me të ashtuquajturin “Grupi i Habilajve’, vëllezërit e akuzuar për trafik të sasirave të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë. Ish ministri i Brendshëm ka lidhje farefisnore me Habilajt.

Edhe në seancën e sotme, SPAK-u i qëndroi akuzave të ngritura që në fillim ndaj ish ministrit (Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal), duke këmbëngulur në dënimin e tij me 12 vite burgim.

Nga ana e tij zoti Tahiri i kërkoi trupës gjykuese shqyrtimin me objektivitet të provave e fakteve, duke i mëshuar pafajësisë së tij. Edhe avokati i tij, deklaroi se nuk ka asnjë provë që ta lidhë ish ministrin e Brendshëm me një aktivitet kriminal.
Kjo është hera e dytë që çështja ndaj zotit Tahiri trajtohet në Apel, pas një odiseje të gjatë gjyqësore. Në vitin 2019, ai u dënua në Shkallë të Parë nga gjykata, e cila rrëzoi akuzat e prokurorisë dhe e cilësoi atë fajtor për “Shpërdorim të detyrës”. Dënimi prej 5 vitesh burgim, u konvertua në Shërbim prove për 3 vjet e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit nga ana e saj, në qershor të vitit 2020, e riktheu për rishyrtim në Shkallë të parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e lartë, pasoi, vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve proceduriale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel, me një gjetër trupë gjykuese, e cila pritet të shprehet përfundimisht më 4 shkurt.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën
organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019/VOA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb