Policia e Kosovës ka dërguar në paraburgim prej 48 orësh kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj është arrestuar mbrëmjen e sotme afër zyrave të televizionit T7 në Prishtinë.

Ai ishte i ftuar në Pressing për të diskutuar lidhur me protestën e fundit kundër shtrenjtimin të energjisë dhe për arrestimin e aktivistit të PSD-së sot.

Molliqaj ishte kërkuar nga Policia pas goditjes me shuplakë që i dha policit gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.

Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona lidhur me atë protestë dhe në një komunikatë të lëshuar kanë dhënë detaje tjera.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë. Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari; A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022. Arrestimi i dytë, u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”, thuhet në komunikatë.

Policia tregon më tej se i ka kërkuar të dyshuarit në vendbanimet e tyre, por që nuk i ka gjetur dhe u ka lënë një ftesë për paraqitje në Polici.

“Ndërkohë që policia e kishte kërkuar në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur, të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur. Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin policor dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, përfundon komunikata.

Në protestën që pati mijëra qytetarë nuk pati incidente, megjithatë më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa godet me shuplakë një zyrtar policor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb