Pjesa e Dytë/ Në Shënjestër

Një tjetër atentat i rëndë, vetëm pak muaj pas atij të ndodhur në fshatin Koxhas të Shijakut ndaj Plaurent Dervishajt, do të trondiste qytetin e Durrësit, ku tashmë, po fillonte të bëhej gjithmonë e më qartë, se në mes ishte lufta për pronat në bregdet, midis dy bandave rivale në qytet.

Atentat, ku pre e plumbave tashmë do të mbeteshin edhe njerëz të drejtësisë, ndërsa një i ri i pafajshëm në gjithë këtë histori, do të humbiste jetën.

I tillë ishte atentati i ndodhur më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, ku të plagosur rëndë do të mbeteshin prokurori Arian Ndoji në sediljen e parë të automjetit, Pëllumb Muharremi i njohur si ‘Rrumi’ që qëndronte në sediljen e pasme të makinës tip ‘Benz’ me targa AA 333 ZD, si edhe shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, i cili humbi jetën 7 ditë më pas në spital.

Një ngjarje, që për vetë personazhet e përfshirë, pështjelloi jo pak opinionin publik, se si ishte e mundur, që në makinën e një prokurori, të udhëtonte bashkë me të, edhe një eksponent i rrezikshëm i krimit.

Sipas dinamikës së ndërtuar të ngjarjes, mesditën e atentatit, prokurori Arian Ndoji po drekonte me mikun e tij Enver Shala dhe një të njohurin e këtij të fundit, në një restorant në lagjen Nr. 13 në Durrës

Vetëm pak minuta pasi kishin kryer porosinë, në tavolinë me ta bashkohet edhe Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’.

Menjëherë sapo përfunduan së drekuari, prokurori Ndoji dhe ‘Rrumi’, pasi u përshëndetën me grupin tjetër në tavolinë, dolën nga restoranti dhe u ngjitën në makinën e drejtuar nga Andi Maloku, i cili ishte punësuar si shofer i familjes Ndoji. Ndërkohë, që në ndjekje, pas tyre vinte edhe makina e ‘Rrumit’, e drejtuar nga Stiven Mziu, shoferi i këtij të fundit.

Është ky momenti, kur siç shikohet edhe nga grafika e ndërtuar nga emisioni ‘Në shënjestër’, sapo makina me prokurorin Ndoji në vendin e parë të pasagjerit dhe Rrumin në sediljen e pasme, futet në autostradë me drejtim Ura e Dajlanit-Mbikalimi i Shkozetit, pas tyre vihet në ndjekje automjeti i autorëve.

Fillimisht siç shikohet edhe në grafikë, automjeti i autorëve e ndjek për afro 1 kilometër automjetin e shënjestrave të atentatit.

Pasi i arrin, automjeti i autorëve futet në mes të makinave të drejtuara nga shoferi i prokurorit Ndoji dhe atij të drejtuar nga shoferi i ‘Rrumit’.

Është ky çasti kur nga sedilja e pasme e makinës së autorëve hapet zjarr ndaj makinës ku udhëtonin prokurori Ndoji dhe ‘Rrumi’.

Automjet i cili pasi bën një zigzage të fortë, del në krahun e kundërt të makinës, nga ana e pasagjerit të viktimave të atentatit, duke i qëlluar për afro 100 metra, derisa makina e drejtuar nga Andi Maloku, ku ndodheshin prokurori Ndoji dhe Rrumi, del nga rruga dhe përfundon në anë të mbikalimit të Shkozetit.

Lidhur mbi ngjarjen e rëndë, 8 muaj pasi ajo ndodhi, grupi hetimor mori në pyetje ‘Rrumin’, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit.

Pëllumb Muharremi alias ‘Rrumi’

“Emri im i mëparshëm ka qenë Pëllumb Muharremi dhe aktualisht e kam Aleksandër Laho. Shkurt më thërrasin ‘Rrumi’. Unë thuajse si çdo ditë shkoj në Durrës. Atë ditë unë isha me Fatos Mziun, i cili punon në Ujësjellësin e Durrësit me Agron Bejdollin. Duhet të kemi qenë tek një kasap në Durrës ose duke blerë ose duke ngrënë diçka, por nuk më kujtohet me detaje. Me këta shtetas kemi qenë deri në orën 15:00, kur më pas unë jam lidhur me Arianin dhe me Enverin për drekë.

Nuk më kujtohet se si kemi kontaktuar ose i kam marrë unë ose më kanë marrë, por di që kemi shkuar për drekë tek një lokal në plazh.

Unë kam shkuar tek lokali me mjetin e Agronit tip ‘Benz’ AA 343, germat nga pas nuk i mbaja mend.  Aty në tavolinë për drekë kemi qenë unë, Arian Ndoji, Enver Shaba dhe një shoku i Enverit, emrin e të cilit nuk e di.

Kemi qëndruar në lokal rreth 2 orë dhe më pas kemi dalë për të ikur në shtëpi.

I pari u largua Enveri bashkë më shokun e tij dhe unë do të largohesha me mjetin tim që e kishte Fatosi. Më thotë Ariani që hajde në makinën time që ta bëjmë rrugën bashkë deri në Sukth dhe kështu unë isha në makinë me Arianin në sediljen e pasme, ndërsa Ariani ishte në vendin e pasagjerit në krah të shoferit.

Çdo gjë ka ndodhur normalisht dhe nuk kam vënë re asgjë deri në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Momentin e ngjarjes nuk e mbaj mend. Nga spitali mbaj mend vetëm kur më pastronte motra nga fytyra dhe asgjë tjetër”.

Vetëm disa orë pas ngjarjes, policia mundi të gjejë në fshatin Shkafanë të Durrësit, të padjegur makinën e autorëve. Ose të paktën, ata nuk patën mundësi të zhduknin provat, pasi, sipas policisë ata u pikasën nga tre fëmijë të vegjël.

Si ekzekutor i dyshuar lidhur mbi ngjarjen, policia arrestoi disa muaj më pas Redjan Rrajën, nipin e deputetit socialist, Rrahman Rraja. Ish-dentisti i burgut u tradhtua nga një palë syze që u gjetën në makinën e përdorur nga autorët e dyshuar të krimit, si dhe sende të tjera që u përdorën nga ekzekutorët.

Po sipas policisë, Redjan Rraja kishte udhëtuar dy ditët e fundit në drejtim të Durrësit, ku ishte parë të frekuentonte edhe lokalin e Plaurent Dervishaj, armikut tashmë të përbetuar të ‘Rrumit’. Ndërsa personi i dytë që mori pjesë në atentat, i cili shfaqet edhe në këto pamje, rezulton të jetë ende i paidentifikuar.

Sipas SPAK personi që ndihmoi Rrajën dhe atentatorin e dytë ishte Arjol Halilaj, i cili i priste disa metra larg vendit ku ekzekutorët braktisën makinën e përdorur në krim. Lidhur mbi personat e ndaluar, prokuroria mori në pyetje edhe vetë Rrumin,

Ndërkohë që grupi hetues i vendosi përpara edhe pamjet filmike të një subjekti privat në fshatin Kuratë në Ishëm, ku në orën 17:23:16 dallohen të kalojnë dy persona të veshur me rroba të zeza ku njeri është me kapele në kokë, me bluzë të zezë me mëngë të gjata, ndërsa tjetri është me bluzë te zezë.

Pëllumb Muharremi alias ‘Rrumi’

“Shtetasit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj nuk i njoh. I kam dëgjuar vetëm në televizor si persona të përfshirë në ngjarjen e ndodhur më 01.11.2019 ndaj prokurorit, shoferit të tij dhe ndaj meje.

Pamjet i shikoj shumë mirë dhe shoh dy persona që kalojnë në rrugën e makinës përpara një pike biznesi të cilët janë të veshur, njëri me kapele në kokë dhe bluzë të zezë me mëngë të gjata, ndërsa tjetri është me bluzë te zezë me mëngë të shkurtra i qethur shkurt dhe mban diçka në dorë, diçka të zezë, si bluzë, por nuk arrij ta identifikoj pasi pamjet filmike janë nga larg”.

Organi i akuzës ka dyshimet e veta se Rraja veproi për interes, pasi nuk kishte asnjë lidhje apo njohje të mëparshme, me prokurorin Ndoj dhe ‘Rrumin’.

Ndërkohë që vetë prokurori Ndoji ka deklaruar se sulmi iu bë për shkak të detyrës, ndërsa ‘Rrumi’ akuzoi direkt Plaurent Dervishaj si porositësin e atentatit, por mesa duket duke fshehur shkakun e vërtetë të përplasjeve që duket se është lufta për përvetësimin e tokave në bregdet.

Duke e trajtuar atentatin ndaj tij si një mllef të grupit rival, ku sebepi sipas dëshmisë së dhënë nga ai vetë në prokurori, është bërë një zyrtare vendore, e cila sipas tij kishte punuar në kadastrën e qytetit të Durrësit dhe të cilën prokurori Ndoji e kishte arrestuar për ‘shpërdorim detyre’.

Ndërsa ky i fundit nuk e kishte ndihmuar të ndërhynte te prokurori Ndoji për ta shpëtuar nga prangat. Gjë që sipas tij kishte sjellë edhe këtë pakënaqësi nga pala tjetër, që e përktheu këtë mungesë ndihme në plumba të derdhur ndaj tij dhe prokurorit Ndoji.

“Kur kemi hipur në makinë Ariani pa një shtetase të cilën e njihte dhe quhej Lusiana Kolaj. Pra kemi qenë në makinë, kur para nesh rreth 5-6 metra ishte kjo shtetase duke ecur në trotuar me hapa të ngadaltë. Ajo po shikonte nga ne dhe Arjani më thotë për Lusianën: “Çne kjo këtu?”. E pashë dhe unë Lusianën e cila shikonte në drejtimin tonë.

Këtë shtetase e njihja dhe unë më parë pasi kisha pasur kontakt me të.

Gjatë momentit që mjeti i Arjanit me shofer Andi Malokun po bënte para mbrapa në parkingun e lokalit i cili është i vogël, shoh që Lusiana kalon rrugën përballë nesh dhe shkon tek një mjet tip ‘Benz’ me ngjyrë të zezë i cili kishte ndaluar në krah të rrugës. Shoferin e ‘Benzit’ e mbaj mend që ishte ulur në timon dhe aty shkon Lusiana dhe ulet në vendin e pasagjerit në krah të shoferit.

E kam fiksuar se shoferi i ‘Benzit’ që hypi Lusiana ishte shtetasi Leonard Kadrimi, ish zv. Drejtor i Hipotekës.

Kur ne morëm drejtimin djathtas kur del nga lokali, bashkë me ne lëvizi edhe mjeti ku hipi Lusiana, por nuk jam në gjendje të them nëse ka vazhduar drejt apo ka bërë rotondon dhe ka ardhur në drejtimin tonë.

Të njëjtin dyshim mbi Lusjana Kolën, hodhi në dëshminë e tij përpara hetuesve edhe Agron Bejdolli, miku i ‘Rrumit’, i cili ditën e atentatit mësohet se i dha makinën e tij, Stiven Mziut.

Për ta ndjekur nga pas shefin e tij, ndërsa ky i fundit ishte në makinë me prokurorin Ndoj. Bejdolli, një personazh kontrovers që kishte dhënë dëshmi të dyshimta në hetuesi, ku fillimisht mohoi që të kishte njohje me ‘Rrumin’ dhe prokurorin Ndoji, por që siç do të shikohet më pas, është një nga bashkëpunëtorët kryesorë të ‘Rrumit’ në përvetësimin e tokave në bregdet.

Agron Bejdolli

“Më datë 01.11.2019, në mëngjes kam dalë nga shtëpia rreth orës 08.30.

Rreth orës 12:00 më ka telefonuar shtetasi Pëllumb Muharremi dhe më ka thënë hajde takohemi tek zjarrfikësja, të hamë tek lokali ngjitur.

Unë jam ngritur dhe kam shkuar tek lokali afër zjarrfikëses me automjetin tip ‘Benz’ AA 845 SI të cilin ia kisha marrë një shokut tim Osman Muharremi.

Kur kam arritur tek lokali kam takuar Pëllumb Muharremin dhe Stiven Mziun me të cilët jam ulur në tavolinë dhe kemi porositur për të ngrënë. Pas rreth 1 ore, pasi kishim mbaruar së ngrëni, jemi ngritur.

Unë kam hipur në makinën që kisha, ndërsa Pëllumbi dhe Stiveni kanë hipur në makinën ‘Benz CLS’ më targë AA 343 VT dhe jemi nisur në drejtim të plazhit, ku ata po ecnin përpara ndërsa unë i ndiqja nga pas.

Pasi kemi arritur në Rrugën e Plazhit jemi kthyer dhe jemi ndalur përpara lokalit.

Aty pasi kemi zbritur, Pëllumbi ka hyrë në lokal, ndërsa unë dhe Stiveni kemi qëndruar jashtë. Aty takuam Andi Malokun i cili ishte shofer i prokurorit Arian Ndoj. Në momentin që po kthehesha me makinë në krahun e djathtë në trotuar kam parë shtetasen e cila quhet Lusiana, mbiemrin nuk ia di. Ajo rrinte, shikonte dhe mbante celularin në dorë”.

Por kush ishte Lusiana Kola, dhe pse personazhet në makinë ishin kaq të shqetësuar nga prania e saj. Cilat ishin përplasjet e mëparshme dhe pse ata dyshuan në rolin e saj në atentat. Cila ishte lidhja e saj me bandën rivale të Plaurent Dervishaj.

Agron Bejdolli

“Lusianën e njoh si fytyrë pasi ka punuar tek legalizimet.

Së bashku me Stivenin dhe Andin jemi ulur tek lokali ngjitur me restorantin për të pirë kafe dhe tek bisedonim Andi më tha se aty përballë ishte ajo Lusiana që ka punuar tek legalizimet, të cilën e kishte arrestuar shefi.

E kishte fjalën për prokurorin Arian Ndoji, dhe unë i thashë që e pashë në momentin që po ktheja makinën.

Mendoj se Lusiana mund të ketë qenë duke vëzhguar përballë restorantit, ditën e ngjarjes ku dhe unë e kam parë në trotuar”.

I bindur në dëshminë e tij lidhur mbi rolin e Lusianës, është treguar në hetuesi, edhe vetë ‘Rrumi’, por edhe pse ai jep një version të vetin mbi shkakun që pasoi atentatin, ky version duket jo shumë i besueshëm.

Pëllumb Muharremi alias ‘Rrumi’

“Unë këtë shtetase e njoh si emër dhe si fytyrë 3-4 vjet para. Unë kam shkuar për legalizimet e shtëpisë tek ALUIZNI Durrës dhe aty e kam parë sepse ishte sekretare e drejtorit, Flamur Gjuzi.  Po kështu, kur kam shkuar aty jemi përshëndetur, por jo më gjatë. Unë nuk kam biseduar asnjëherë me të dhe nuk i disponoj numër celulari. Unë dyshoj te ajo sepse kur u arrestua nga prokurori Arian Ndoji, ka ardhur Flamur Gjuzi dhe më ka kontaktuar duke më kërkuar ndihmë që të ndërhyja tek prokurori Ndoji për çështjen e Lusianës.

Flamurit i kam thënë se nuk mund të ndërhyj në këto punë sepse kjo është pjesë e punës së tij dhe nuk kam aq afrimitet të bisedoj për problemet e punës së tij.

Pas kësaj përgjigjeje që i dhashë Flamuri nuk më ka kontaktuar më”.

I pyetur se përse nuk e kallëzoi më herët Lusiana Kolën, ‘Rrumi’ tha se kjo kishte ardhur pasi gjatë kësaj kohe nuk ishte mirë me shëndet.

Ndërkohë që shpjegoi për hetuesit edhe lidhjet e te vëllait të saj Xhildo Kola, me Plaurent Dervishaj.

“Lusiana Kola është motra e Xhildo Kolës, i cili është lidhje e Plaurent Dervishit.

Këta dy persona sot janë bashkë. Kjo bazuar në të dhënat që kemi nga burimet tona. Nuk kam dijeni për autorët, por jam më se i sigurt se strumbullari i gjithë kësaj është shtetasja Lusiana Kola, e cila ka ‘fryrë’ personat që kanë organizuar ngjarjen”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb